Shkollë e re për nxënësit në Ndroq


Shkollë e re për nxënësit në Ndroq

17:50 15/09/2020

Veliaj: Vit kampion për institucione të reja arsimore

Fëmijët e Ndroqit do ta zhvillojnë mësimin në një shkollë të re.
Kryebashkiaku ndërsa pa nga afër ambientet e kësaj shkolle, u shpreh se 2020 është viti më i mirë për investimet në infrastrukturën arsimore

270 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Bashkim Berisha” në Ndroq kanë nisur vitin shkollor në mjedise të reja. Për kryebashkiakun e Tiranës ky është viti më i mirë i investimeve në infrastrukturën arsimore.

“Ky ndoshta, ka qenë viti ynë kampion i hapjes së shkollave, kopshteve e çerdheve të reja, çka bën një kontrast shumë të madh. Nuk dua të merrem me politikë, por jam shumë i lumtur kur shoh se një Berishë ka emrin e shkollës në Ndroq, e cila quhet “Bashkim Berisha”. Ka nevojë për bashkim, jo për “përçarje Berisha”, jo për “toksinë Berisha”, jo për “helm Berisha”, jo për “ndasi Berisha”. Kemi nevojë për bashkim. Emri i “Bashkim Berishës”, i një sportisti, do të thotë se ne i respektojmë të gjithë njerëzit, por sidomos ata njerëz që janë për bashkim dhe solidaritet”.

Veliaj u shpreh se sfida në betejën e ardhshme, është mes atyre që janë për bashkim dhe investojnë edhe në arsim dhe atyre që përçajnë e shpifin.

“Në sfidën që do kemi vitin tjetër, beteja do jetë kush na bashkon dhe kush na përçan, kush investohet në arsim, kush investohet në injorancë; kush investohet në të vërtetë dhe kush investohet në fakte të rreme apo në përçudnimin njerëzor të atyre vlerave që na bashkojnë”.

Ndërtimi i shkollave njëlloj si në qendër dhe në perfieri për Veliajn konsiderohet një premtim i mbajtur. / tvklan.al





Të ngjashme