Aksidenti tragjik në veri të vendit

14 persona kanë humbur jetën pasi një teleferik ra pranë liqenit Maggiore në rajonin e Piemonte, në veri të Italisë. Sipas autoriteteve vendase, kavoja ku mbahet kabina e teleferikut u shkëput duke shkaktuar kështu aksidentin e rëndë.

Dy fëmijë të moshës 5 dhe 9 vjeç u dërguan në spital në Torino në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht fëmija 9 vjeç nuk arriti të mbijetonte dhe humbi jetën disa orë pas ngjarjes. ANSA raporton se fëmija ishte i intubuar në reanimacion, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ai nuk arriti të mbijetonte.

Në kabinë ishin gjithsej 15 persona. Sipas autoriteteve italiane, mes viktimave ka edhe shtetas të huaj. Megjithatë operacioni për identifikimin e tyre vijon ende.

Kabina ra në një pjesë të pyllëzuar, ku operacionet e shpëtimit nuk janë të lehta. Zjarrfikësit e komandës provinciale të Verbania dhe ata të Gravellona Toce u angazhuan maksinalisht për këtë aksident, i cili raportohet se nuk është i pari në këtë zonë. 

Liqeni Maggiore, ndodhet në një lartësi prej 1,491 metrash dhe udhëtimi me teleferik zgjat rreth 20 minuta. Teleferiku Mottarone u hap në 24 prill pas mbylljes për shkak të kufizimeve të Covid. Në vitin 2016, një shumë prej 4 milionë e 400 mijë eurosh janë investuar për kontrollin, rregullimin dhe riparimin e teleferikëve.

Klan News