Rritet numri i fëmijëve të infektuar nga fruthi. Nga e marta janë shtuar 5 raste të reja, ndërsa  ekspertët e Institutit te Shëndetit Publik po analizojnë rastet e dyshuara mes të cilëve është edhe një person i rritur.

“Kemi 16 raste të konfirmuara dhe 2 të dyshuar, tek femijët janë kryesisht të moshës nën 1 vjeç që nuk kanë mbushur moshën e vaksinës, por edhe ata që e kanë refuzuar”.

Mjekët thonë se fëmijët e pavaksinuar duhet të drejtohen në poliklinika dhe jo në urgjenca spitalore, ku rreziku i infektimit është më i madh.

“Në moshën 1 vjeç është realizuar në 75%, ndërsa në 5 vjec 96%. E kanë refuzuar, por vaksina nuk shkakton autizëm”.

Më të rrezikuar janë fëmijët e pavaksinuar për fruthin, të cilët sipas Institutit të Shëndetit Publik vetëm në kryeqytet janë 1 200.

Duke e konsideruar vaksinimin si të vetmen mbrojtje edhe në situatën në të cilën ndodhemi, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik po mendojnë që të ulin nën 1 vjeç injektimin e vaksinimit të fruthit për fëmijët. Në të njëjtën kohë ata do të rinisin në poliklinikë vaksinimin për të lindurit mes viteve ’80-’90, target që mendohet se vaksinimi nuk ka rezultuar efikas.

Tv Klan