Shkon në 163 numri i të prekurve me fruth. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vetëm në Tiranë janë 115 të infektuar.

Shumica e të prekurve, janë fëmijë nën moshën 2 vjeç, ndërsa pjesa tjetër të grupmoshave të viteve ’80-’90. Edhe ketë të shtunë shumë prindër me fëmijë u janë drejtuar poliklinikave për të marrë trajtim mjekësor.

Për të frenuar përmasat e epidemisë dhe për shkak se fruthi ka shënuar edhe dy raste të fëmijëve në moshë shkollore që kanë kryer të dyja dozat e vaksinës në moshën 1 dhe 5 vjeç, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një plan masash duke filluar nga rritja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore, deri tek kontrollet në institucionet arsimore për të gjitha rastet e konstatura si dhe vaksinimin e grupeve në risk.

Një komitet i posacëm po merret me verifikimin e fruth rubeolës në vend si dhe po përgatit programin e vaksinimit dhe të survejancës së kësaj sëmundje.

Vetëm pak ditë më parë, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë dha alarmin për katërfishimin e rasteve në Europë.  Mbi 21 mijë persona janë prekur nga kjo sëmundje infektive, ku 35 prej tyre kanë humbur jetën.

Tv Klan