Infektohen 4 fëmijë, zgjerohet harta me Tropojën

Arrin në 6 numri i viktimave nga Covid-19 në vendin tonë. Ndërsa deri tani, 15 qytete përfshirë Tropojën, kanë evidentuar raste pozitivi me koronavirus.

“Ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator). 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Tropojë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan”.

Numri i të prekurve më Covid-19 ka arritur në 174. 3 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, në terapi intensive.

“Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar dhe prej tyre 3 raste janë në terapi intensive 2 janë të intubuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”.

Për herë të parë në vendin tonë, mes të prekurve janë edhe 4 fëmijë.

“Nga të prekurit, rezultojnë 4 raste pozitive të moshës pediatrike, kontakte të rasteve pozitive, janë pa shenja klinike dhe në gjendje të mirë shëndetësore”.

Në rastin më të keq, kur moshat pediatrike do të paraqesin shenja klinike të Covid-19, ata do të trajtohen në shërbimin infektiv në pediatri.

Tv Klan