Shkon në 188 numri i përgjithshëm i viktimave në Gaza, 10 në Izrael



Shkon në 188 numri i përgjithshëm i viktimave në Gaza, 10 në Izrael

08:08 17/05/2021

E diela ishte dita më vdekjeprurëse në Gaza që nga fillimi i luftimeve aktuale me Izraelin. Zyrtarët palestinezë thonë se mbi 40 vetë u vranë në sulmet e fundit izraelite ajrore në Gaza, thonë zyrtarët atje.

Ushtria e Izraelit tha se militantët palestinezë qëlluan gjatë javës së kaluar mbi 3,000 raketa në drejtim të Izraelit.

Presioni ndërkombëtar nuk po arrin t’i ulë palët në bisedime. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres ka paralajmëruar se luftimet e mëtejshme mund ta fusin rajonin në një “krizë të pakontrollueshme”.Ai u lut për t’i dhënë menjëherë fund dhunës.

Herët të hënën, aeroplanët luftarakë izraelitë ndërmorën 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit qëlluan një breshëri raketash në Izraelin Jugor.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan gjithashtu se mungesa e karburantit në Gaza mund të lërë pa energji elektrike spitalet dhe objektet e tjera.

LynnHastings, zëvendëskoordinatore posaçme e KB për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, tha se u kishte bërë thirrje autoriteteve izraelite që të lejonin furnizimin me karburant të Gazës, por diçka e tillë është e paqartë.

Në sulmet ajrore të së dielës zyrtarët e Gazës thanë se 42 persona, përfshirë 16 gra dhe 10 fëmijë, humbën jetën. Në Izrael dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në sulmet me raketa.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Gaza arriti në 188 vetë, përfshirë 55 fëmijë dhe 33 gra dhe 1,230 vetë janë plagosur, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazas që kontrollohet nga Hamasi. Izraeli thotë se mes viktimave ka me dhjetëra militantë.

Klan News







Të ngjashme