Dyshohet se u përhap gaz në fabrikë, asnjë qëndrim nga kompania koreane për shkakun

Rritet numri i punonjësve të një fabrike në Fier që përfunduan në spital me shenja helmimi. Për ndihmë mjekësore janë paraqitur 19 punonjës, shumica e tyre gra. Sipas mjekëve ata kanë shfaqur simptoma si dhimbje koke, gjendje të fikti apo të vjella. Megjithatë sipas tyre nuk janë në gjendje të rënduar.

“Paraqesin shenja të lehta të irritimit, edema të lehta por jo problematike dhe riskuese për jetën. Pastaj duhet interesuar tek vendi i punës nëse ka pasur probleme të tjera.”

Rastet e para shkuan në spital mbrëmjen e së mërkurës. Paraprakisht thuhet se shkak është bërë përhapja e një gazi gjatë punës në turnin e dytë. Një prej punëtoreve e cila pranoi të flasë për mediat tha se diçka e tillë ndodh për herë të parë.

“Unë kam 4 vite dhe është hera e parë që po ndodh. Nga kimikatet them unë.”

Ndërkohë nuk ka një qëndrim as nga kompania. Në fabrikë prodhohen pajisje elektrike për automobila ndërsa kompania që operon prej 5 vitesh në Fier mësohet se ka rreth 1500 punonjës.

Klan News