Tirana, Kruja dhe Shkodra shënojnë 14 raste të reja

Koronavirusi ka regjistruar viktimën e 30 në Shqipëri mëngjesin e të martës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në shërbimin infektiv, pacienti nuk e ka fituar betejën me virusin.

Ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S.B. i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv”, deklaroi Albana Fico.

Ndërkohë, Tirana, Kruja dhe Shkodra vijojnë të regjistrojnë raste të reja të personave të prekur nga COVID-19. Në një lidhje me edicionin e lajmeve në Televizionin Klan, Eugena Tomini specialist në ISHP sqaroi se disa janë vatra të reja.

“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër. Deri në këto momente janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46.8 vjeç”.

Në dy spitalet Covid, numri i të shtruarve vijon të jetë i njëjtë.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë”.

Nëntë pacientë janë shëruar në 24 orët e fundit duke e çuar totalin e të shëruarve në 431 persona, shifër kjo më e lartë se e të sëmurëve aktiv, që po trajtohen në spitale apo banesa.

Tv Klan