Të tjerë persona nën rrënoja në Durrës e Thumanë

Në përditësim: Bilanci i viktimave të tërmetit të së martës, u rrit sërish, ndërsa lëkundjet e tokës vijojnë të trondisin vendin, duke shkaktuar frikë. Këto janë momentet e tërmetit me mangitudë 5.3 Rihter që u regjistrua në orën 15 e 52 minuta.

Kamera e Tv Klan regjistroi lëkundjet e gjysmës së pallatit që ka mbetur ende në këmbë në Thumanë, të cilat detyruan edhe ekipet e kërkim-shpëtimit të ndërprisnin përkohësisht kërkimet.

Autoritetet raportuan zyrtarisht për 31 të vdekur, 15 në Thumanë, 15 në Durrës dhe 1 në Lezhë.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, i përmendi të gjithë emrat, me një ngarkesë emocionale, e prekur më së shumti prej fëmijëve që humbën jetën nën rrënoja.

Viktimat e tjera në Durrës janë Bajram Hajdarmataj, Sadik Qato, Isah Abazi, Flatar Zenelaj, Eviola Broshka, Kristi Reçi,  Sehadete Lala, Djena Karanxha, Eduart Reçi, Shemsedin Abazi e Griselda Lala 22 vjeçe.

Në Krujë viktimat janë Ariela Lala 4 vjeç, Bukurije Leka, Erisa Cara, Fatmira Cuka, Selvie Lala, Saimir Greku, Kristjan Preçi, Sardi Cuka, Hajrie Vata, Klevis Çupi, Drita Cakoni, Pëllumb Greku Çelike Grupieku, Hajredin Çupi, Kastriot Cakoni e Roza Meçja.

Në Lezhë humbi jetën Marjan Preçi.

5 trupa të pajetë u nxorrën gjatë ditës së sotme në Thumanë. Por nën rrënoja mendohet se janë ende 5 persona të tjerë, të gjithë banorë të të njëjtit pallat.

Kërkimet vijojnë si në Thumanë, ashtu edhe në Durrës, ku ekipeve shqiptare u janë bashkuar mbi 200 specialistë nga Kosova, Greqia, Italia, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Rumania, Zvicra, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, të cilët janë në garë me kohën, në përpjekjen për të gjetur të mbijetuar.

I mbijetuari i fundit ishte Klajdi Qato, i nxjerrë në orët e vona të mbrëmjes së shkuar nga rrënojat e hotelit Vila Palma, në plazhin e Golemit. Për 20 orë ai qëndroi poshtë krevatit. I riu ka falenderuar forcat greke dhe ato shqiptare që i shpëtuan jetën.

Në zonën e ish-Kënetës, në vilën katër katëshe ku jetonte familja Lala, dyshohet se nën rrënoja janë ende 5 persona. Një kamera amatore filmoi momentet e shembjes së saj.

Në pallatin e shembur në Lagjen 18 janë lokalizuar dy persona, por nuk dihet ende fati i tyre. Askush nuk u përgjigjet thirrjeve të ekipeve të emergjencës.

Ministria e Shëndetësisë tha se në spitale janë trajtuar 658 të lënduar. Aktualisht po trajtohen 65 prej tyre. 8 persona janë në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve, disa prej tyre do të nisën për kurim në klinika të specializuara jashtë vendit.

Dëmet në ndërtesa janë të mëdha. Të dhënat paraprake flasin për 27 pallate dhe afro 170 shtëpi të pabanueshme në Durrës.

Dëme ka edhe në Kavajë e Shijak.

Të shumta janë edhe dëmet tek bizneset.

Autoritetet u bënë sërish thirrje banorëve që të mos futen në banesat e tyre, nëse janë të dëmtuara.

Tv Klan