Trump dënon dhunën: Do të garantojë kalim të rregullt pushteti

Thellohet në 5 bilanci i viktimave nga sulmi i të mërkurës ndaj Kongresit Amerikan, i mbështetësve të Donald Trump-it. Një oficer policie i plagosur rëndë ndërroi jetë në spital nga plagët.

Pasojat e rënda të këtij sulmi dhe kritikat e gjera si brenda ashtu dhe jashtë vendit duket se kanë detyruar presidentin në detyrë Donald Trump ta dënojë sulmin ndaj Kongresit dhe të kërkojë kalim të qetë të pushtetit tek pasardhësi më 20 Janar.

“U them atyre që u përfshinë në dhunë dhe shkatërrim se ju nuk përfaqësoni vendin tonë. Atyre që thyen ligjin u them se do të paguani. Kongresi certifikoi rezultatin. Tani do të përqendrohem në garantimin e një kalimi të rregullt pushteti më 20 Janar”.

Trump duket se ka ndryshuar mendim edhe pas thirrjes të drejtueses së Dhomës së Përfaqësuese, demokrates Nancy Pelosi drejtuar nënpresidentit Mike Pence për të zbatuar Amendamentin 25 të Kushtetutës për shkarkimin e presidentit në detyrë, edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë më pak se dy javë para përfundimit të mandatit të tij.

Disa zyrtarë të administratës kanë dhënë dorëheqjen në shenjë mospajtimi me situatën. FBI ka nisur hetimet për këtë ngjarje, teksa numri i të arrestuarve ka arritur në 68. Disa prej tyre mbanin edhe armë gjatë sulmit.

Tv Klan