Prokuroria nis hetimet për zbulimin e shkaqeve

Tre ditë nga helmimi masiv i banorëve të Krujës, situata në urgjencën e spitalit paraqitet më e qetë. Paraditen e së mërkurës janë paraqitur vetëm 7 raste të reja ndërsa në total numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësor ka shkuar në 500. Simptomat mbeten të njëjta më të pacientëve të tjerë.

“Kanë pasur bark, të vjella dhe temperaturë deri në 37. Janë 2 raste që janë riparaqitur për gjendje frike, paniku. Janë në gjendje stabël”.

Pacientët thonë se përkeqësimi i gjendjes së tyre shëndetësore ishte i menjëhershëm.

“Shumë keq, më kapi papritmas, bark edhe të vjella, edhe fëmijët kështu i kam pasur”.

“Direkt te urgjenca kemi ardhur. Bark e të vjellura”.

Shumica e pacientëve kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë larguar sërish, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë kërkuar hospitalizim. Mes tyre ka edhe fëmijë.

“Aktualisht janë 3 raste në urgjencë, 2 raste në pediatri”.

Për situatën e krijuar në Krujë prokuroria e qytetit ka nisur hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave. Organi i akuzës ka urdhëruar kryerjen e akteve të ekspertimit mjeko-ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

Një ditë më parë Ujësjellësi i Krujës tha se shkak paraprak është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Gjithsesi fjalën e fundit do e thotë ISHP, e cila po analizon mostrat e marra.

Në qytetin e Krujës prej dy ditësh është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm në pritje të analizave nga ISHP.

“Do t’ju informojmë menjëherë sapo të kemi raportet përfundimtare të analizave bakteriologjike që kërkojnë kohën e tyre për të dalë dhe për të patur një panoramë të qartë”.

Tv Klan