Të tjera raste të reja me COVID-19 janë shënuar në vendin tonë. Eugena Tomini, përgjegjëse e departamentit të inteligjencës epidemiologjike në ISHP bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 60 persona të dyshuar.

Prej tyre kanë rezultuar pozitivë 4 raste, 3 raste kontakti dhe 1 rast i ri, ky i fundit një pacient 66-vjeçar i cili po trajtohet në terapi intensive. Ndërkohë kjo e çon numrin total të të infektuarve me koronavirus në vendin tonë në 59.

“Deri në këto momente janë testuar 665 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 59 raste:

Tiranë 42 raste

Durrës 5 raste

Lushnje 2 rast

Elbasan 2 raste

Fier 6 raste

Rrogozhinë 2 raste”.

30 pacientë janë të shtruar në Spitalin Infektiv të cilët janë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina. Prej tyre, tre pacientë janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon është në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Më herët, ministria njoftoi se një 66-vjeçar nga Lushnja humbi jetën si pasojë e COVID-19. Ai ishte i shtruar prej disa ditësh në Spitalin Infektiv dhe gjendja e tij ishte shumë e rëndë. Ai bëhet viktima e dytë nga koronavirusi, pas gruas 73-vjeçare që humbi jetën në Durrës javën e kaluar.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient i moshës 66-vjecare në spitalin Infektiv, që vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale. Prej disa ditësh pacienti ishte i intubuar (me respiracion të drejtuar) në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha Tomini.

Eugena Tomini tha se do të realizohet edhe një test i radhës për pacientin zero, pasi ditën e djeshme rezultoi negativ me COVID-19.

“Gjatë ditës së djeshme, në vijim të ndjekjes dhe trajtimit shëndetësor të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv, është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negative. Do të vijohet me testin e radhës për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient”, tha Tomini./tvklan.al