Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, përmes një komunikate ka njoftuar se në mesin e tetë pacientëve të testuar pasditen e sotme për koronavirus, tre anëtarët e familjes së çiftit bashkëshortor nga Dibra kanë rezultuar pozitiv, kurse 5 të tjerët negativ.

Me këtë, numri i të prekurve nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut arriti në shtatë persona. Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, tre pacientët që kanë rezultuar pozitiv, nga 7 Marsi kanë qenë në izolim shtëpiak, kurse që sonte hospitalizohen në Klinikën Infektive në Shkup.

Negativ kanë rezultuar personi i cili më 26 Shkurt ka qëndruar në Bullgari, bashkëshortja e tij, personi që ka ardhur nga Singapori para tre ditëve dhe një person nga Gjevgjelia dhe Dibra.

Ndërkaq, gjithsejt 193 persona që kanë qenë në kontakt me mjeken e infektuar me koronavirus 14 ditët e ardhshme do t`i kalojnë në izolim shtëpiak. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipche konfirmoi se mjekja do të shkarkohet. Është mbyllur edhe Klinika për Dermatologji në Shkup. /Klan Macedonia