Agjencia për Mbrojtje Civile në Haiti tha se numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin më 14 gusht, ka arritur në 724 dhe të paktën 2.800 persona të tjerë janë lënduar. Haiti u godit nga një tërmet prej 7.2 shkallësh.

Agjencia tha se shumica e viktimave ishin nga pjesa jugore e vendit dhe se ekipet e shpëtimit kanë arritur që të nxjerrin shumë njerëz të gjallë nga rrënojat e shtëpive, hoteleve, kishave, që u dëmtuan nga tërmeti i fuqishëm.

Dëme të mëdha janë raportuar në qytetin Jeremie, shtëpi e 200.000 banorëve. Dëme po ashtu ka edhe në qytetin Les Cayes ku janë shembur shumë ndërtesa përfshirë edhe një hotel shumëkatësh.

Kryeministri Ariel Henry ka shpallur një muaj gjendje të jashtëzakonshme. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe spitalet në zonat e paprekura nga tërmeti po ndihmojnë të plagosurit, tha kryeministri Henry.

“Ne duhet të kujdesemi për të lënduarit, por gjithashtu duhet të sigurojmë ushqim, ndihmë, strehim të përkohshëm dhe mbështetje psikike” për qytetarët, tha kryeministri.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 125 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Port-au-Prince. Tërmeti ndodhi në orën 8:30 sipas kohës lokale dhe thellësia e tij ishte 10 kilometra. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, ka pasur edhe lëkundje pasuese të tokës, ku një prej tërmeteve pasuese ishte 5.2 shkallë.

Para 11 vjetësh, Haiti u godit nga një tërmet prej 7 shkallësh, ku u vranë mbi 200.000 persona./REL