10 % e pacientëve në spital, 90 % ndiqen nga mjeku i familjes

16 të infektuar të rinj i janë shtuar listës së të infektuarve në vendin tonë duke e çuar totalin e të prekurve në 766 persona.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë, 1 raste në Shkodër dhe 1 rast në Berat. Deri në këto momente janë testuar 8028 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 766 raste”.

Rastet e pacientëve që po e fitojnë betejën me koronavirusin ka ardhur në rritje. 24 persona janë shëruar, duke e çuar totalin e të shëruarve në 455.

“Nga 281 pacientët aktivë me COVID-19 në vendin tonë vetëm 10 % po trajtohen në dy spitalet COVID ndërsa rreth 90% e tyre janë në vetëizolim me simptoma të lehta ose janë pa simptoma dhe monitorohen në mënyrën sistematike nga mjeku i familjes”.

33 pacientë po marrin trajtim të specializuar në dy spitalet Covid në kryeqytet.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.Në totalin e të shtruarve në spitalin infektiv, ndodhen edhe 3 raste të importuara COVID-19, ushtarë shqiptarë të KFOR të ardhur nga Kosova.Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar”.

Deri tani 30 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Tv Klan