Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 Janar. Trupi i 50-vjeçares u gjet në rezervuar pasditen e së martës

Një tjetër vrasje trondit vendin këtë fillim vit. Një ngjarje e rëndë u zbardh nga autoritetet policore këtë të martë në Mallakastër. Drita Saliaj, 50 vjeçe, mbeti e vrarë gjatë një tentative grabitjeje të ndodhur në shtëpinë e saj në fshatin Gjerbës, më datë 5 Janar.

Autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë janë nipi 16-vjeçar i gruas, (djali i vëllait të burrit), dhe dy shokët e tij të moshës 16 dhe 26 vjeç.

Burime zyrtare të policisë thonë se tre të rinjtë shkuan për të vjedhur në shtëpinë e 50-vjeçares, por kjo e fundit bëri rezistencë. Në këtë pikë, autorët e morën gruan dhe e hodhën në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Por krimi i rëndë do të zbulohej vetëm sot, kur familjarët e Drita Saliajt shkuan në Komisariatin e Policisë Mallakastër dhe e denoncuan atë të zhdukur.

Në këtë pikë, autoritetet u vunë në kërkim të saj dhe gjatë orëve të pasdites polumbarët gjetën trupin e pajetë të 50-vjeçares në rezervuar.

Policia arriti gjithashtu të arrestonte tre autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë. Burime për tvklan.al bëjnë të ditur se ata janë Luis Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës, Sindi Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës.

Të njëjtat burime thonë gjithashtu se autorët e kanë pranuar autorësinë e krimit, në prani të psikologut dhe avokatit.

Po gjatë kësaj të marte, një tjetër vrasje tronditi vendin. Kastriot Reçi, një biznesmen i njohur në zonën e Mirditës, u vra me snajper në qytetin e Rrëshenit. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, në momentin që Reçi doli nga lokali i tij dhe po hipte në makinë.

Ndërsa orët e vona të së shtunës, Tropoja u trondit nga vrasja e një 47-vjeçari, i cili u qëllua për vdekje në afërsi të një karburanti në pronësi të tij. Viktima është Guxim Gjyriqi, pronar i një restoranti dhe karburanti në qytetin verilindor.

Për të dyja vrasjet, autorët mbeten ende të paidentifikuar. /tvklan.al