Thirrja e OBSH: Mos shfuqizoni masat kundër përhapjes

Një “shkop magjik” për të zhdukur koronavirusin mund të mos gjendet kurrë. Është ky paralajmërimi pesimist i kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili në mbledhjen e radhës të kësaj strukture u bëri thirrje shteteve të botës, të mos i varin shpresat tek vaksinat, për të cilat ende nuk është e sigurtë nëse do të jenë arma e duhur për të luftuar Covid-19.

Disa vaksina tashmë janë në fazën e tretë të provave klinike. Shpresojmë që disa prej tyre të jenë të efektshme për të parandaluar infektimin. Megjithatë, për momentin nuk ka një shkop magjik dhe mund të mos ketë kurrë. Tani për tani, frenimi i përhapjes bëhet me mënyrat bazë të kontrollit të sëmundjeve, testim, izolim, trajtim të pacientëve dhe gjurmimin e vendosjen në karantinë të personave me të cilët kanë pasur kontakte”.

Moska shprehet e sigurtë se brenda tetorit do të nisë vaksinimin e popullsisë me një vaksinë, të prodhuar në laboratorët rusë, e cila ka rezultuar efektive. Edhe shkencëtarët e universitetit të Oksfordit në Britaninë e Madhe japin shpresa të mëdha se vaksina e tyre do të jetë gati në tetor. Megjithatë ekspertët e OBSH-së thonë se që një vaksinë të konsiderohet plotësisht e sigurtë, efektet e përdorimit të saj duhen mbikqyrur për 10 vite. Dhe ndoshta deri atëheë, maska mund të duhet t’a kemi pjesë të look-ut tonë.

Tv Klan