Pjesë e grupit të vullnetarëve edhe Linda Rama

Faza e parë emergjencës sa i takon rrezikshmërisë së godinave që u goditën më rëndë nga tërmeti duket se ka kaluar. Artan Shkreli, anëtar i Shtabit të Emergjencës, të ngritur për të menaxhuar krizën post tërmet, thotë ka përfunduar kontrolli i të gjitha institucioneve publike në të 3 rajonet ku u shpall gjendja e jashtëzakonshme, por dhe pallateve me dëmtime të mëdha dhe tani ka nisur kontrolli derë më derë.

Por Shtabin e Emergjencave po e asiston dhe një grup ekspertësh të huaj kryesisht nga USAID, të cilët kanë eksperiencë në menaxhimin e krizave të krijuara nga fatkeqësitë natyrore. Pikërisht kjo strukturë ka ndihmuar jo vetëm për hartimin e një formulari tip i standardizuar me modele europiane, që po përdoret për evidentimit e të gjitha dëmeve në të 3 qarqet, Tiranë, Durrës e Lezhë, por dhe me metodologjinë që po përdoret për matjet në strukturat e ndërtesave.

Për të asistuar në këtë strukturë si vullnetarë prej ditës së parë është bërë pjesë dhe Linda Rama, pas eksperiencës që ka patur në menaxhimin e krizës humanitare gjatë luftës në Kosovë. Ajo ishte e rezervuar të fliste për kontributin e saj, por shpjegon ndihmën që kanë dhënë ekspertët e huaj në këto ditë të pazakonta për Shqipërinë.

E pyetur për përjetimet personale të tërmetit të 26 Nëntorit përpiqet të mos ndalet gjatë, por zgjedh të flasë për rëndësinë që ka trajtimi psikologjik për fëmijët, të cilët janë prekur më së shumti nga trauma që shoqëroi kjo goditje sizmike.

Tv Klan