Klinti Çollaku, këngëtari i ri dhe i talentuar ka sjellë një tjetër projekt muzikor. Një baladë e titulluar “Shihemi n’kujtime” që ka ardhur si një krijim midis grupit të disa të rinjve, është një prej detajeve që këngëtari ndau për projektin në intervistën e tij në “Rudina”në Tv Klan.

Tashmë Klinti ka nisur të ndërtojë një repertor të tijin muzikor, ku përmirësimi është gjithnjë e më i dukshëm dhe ndihet një stil autentik. Në këtë pjesë të intervistës, moderatorja Rudina Magjistari vendosi të përdorte titujt e këngëve të Klintit për ta ngacmuar pak më shumë rreth jetës së tij profesionale dhe personale.

Rudina Magjistari: “Do t’ia dal” titullohet njëra prej këngëve. Në ç’situatë të vështirë i ke thënë vetes, “unë do t’ia dal, do t’ia dal këtë herë, do ta bëj?”

Klinti Çollaku: Në shumë situata. Unë kam një natyrë që sapo më vihen vështirësi përpara gjithmonë mundohem të gjej zgjidhje dhe i kam shumë qejf sfidat sepse mendoj që nëse jeta është pa sfida, është shumë e mërzitshme. Kënga “Do t’ia dal”është bërë pikërisht për këtë arsye dhe sidomos ka ardhur në një periudhë pandemie ku të gjithë ne mundoheshim të gjenim një zgjidhje.

Rudina Magjistari: “Kush të do”. Kush të do ty?

Klinti Çollaku: Mua më duan shumë njerëz mendoj, njerëzit e mi të afërt që unë i kam në jetën time më duan dhe kënga “Kush të do” gjithashtu është bërë për një histori dashurie që e kam shkruar vetë.

Për këngën “Gënjej”, Klinti tha se nuk i pëlqejnë gënjeshtrat por ashtu siç veprojmë të gjithë, përdor gënjeshtrat ‘e bardha’ për të dalë nga ndonjë situatë në jetën e përditshme.

Rudina Magjistari: “Origjinale 21”. Çfarë  ka në jetën tënde origjinale në fuqi 21?

Klinti Çollaku: “Origjinale 21” ka qenë një këngë që është bërë me fëmijët me sindromën Doën. Kam patur një bashkëpunim me qendrën “Xhonatan” që merret me fëmijët me sindromën Doën dhe “Origjinale 21” është në sensin se ne e dimë shumë mirë që ata kanë 21 kromozome dhe janë origjinalë, janë unikë dhe kjo ka qenë ideja.

Rudina Magjistari: “Jam” titullohet një tjetër këngë, thjesht “jam”. Çfarë je ti sot, si do përkufizoje veten tënde?

Klinti Çollaku: Sot jam një njeri shumë i lumtur me veten time dhe jam në paqe me arritjet që kam bërë dhe e dua shumë jetën, kaq di të them.

Rudina Magjistari: “Si t’ia bojm na”. “Si t’ia bojm na” që Klinti të na thojë se kë ka në zemër?

Klinti Çollaku: Mbase s’e kam akoma dikë në zemër.

Rudina Magjistari: Në këtë moment je i lirë?

 Klinti Çollaku: Po jam shumë i ri mendoj për momentin./tvklan.al