Për Armand Shkullakun dhe Andi Bejten, Kryeministri Edi Rama nuk e do Albin Kurtin.

Duke iu referuar një batute të bërë nga Kryebashkiaku Erion Veliaj, “Gaj gomarin tat” Arian Çani i pyeti të ftuarit e tij në studion e “Zonë e Lirë”, nëse kryebashkiaku kishte sulmuar me këtë batutë Albin Kurtin. Mendimet ishin të ndryshme, që nga ato se batuta ishte për Lëvizjen Vetëvendosje në Tiranë, e deri tek një sulm drejtuar vetë kandidatit për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Bejtja mendon se Kurtin e sulmojnë sepse ai është i kundërt nga ata. Blendi Fevziu thotë se marrëdhëniet mes Ramës dhe Kurtit janë shumë më të mira që pas takimit që patën pak kohë më parë. Ndërsa Armand Shkullaku mendon se Rama sigurisht që nuk e do Albin Kurtin dhe fitorja e tij në Kosovë për Ramën ka qenë e përkthyer në një dramë politike.

Andi Bejtja: E sulmojnë se të paktën nga mesazhet që ka dhënë deri tani Albin Kurti dhe në vazhdimësi gjatë gjithë viteve të fundit, është i kundërti i Ramës në gjithë kuptimim e fjalës dhe i kundërti i njerëzve afër me oligarkët, i kundërti i PPP-ve, i kundërt në çdo kuptim. Nuk mendoj që Albin Kurti do vijë e do bëjë PPP-ra. Ai kërkoi të hiqet taksa e Rrugës së Kombit të paktën privatisht dhe tha edhe nëse nuk hiqet të mos i paguhet një personi, por shtetit, pra është e kundërta në çdo kuptim. Është i majtë në kuptimin e mirë të fjalës dhe i nxjerr lakuriq Ramën dhe Veliaj edhe këdo tjetër nga politika shqiptare në lidhje me këtë politikbërje.

Blendi Fevziu: Unë nuk shoh që Rama ta ketë sulmuar Albin Kurtin së fundmi…

Arian Çani: Kur them sulm, unë them sulm politik.

Blendi Fevziu: Nuk e ka sulmuar Çani dhe kij parasysh që Rama dhe Kurti pas takimit më rezulton se i kanë marrëdhëniet shumë më të relaksuara. Dhe i kanë pasur marrëdhëniet shumë më të mira përpara.

Arian Çani: Po mirë po Veliaj që i thotë “Gaj gomarin tat”?

Blendi Fevziu: Po pra i është përgjigjur Vetëvendosjes për deklaratën që bëri.

Arian Çani: Unë i lidha të dy, e di pse, se Rama i tha lajthitje për marshimin, Veliaj tha “Gaj gomarin tat”, kujt i tha?

Blendi Fevziu: Vetëvendosjes së Tiranës për deklaratën që bënë për çështjen e Unazës.

Armand Shkullaku: Rama sigurisht që nuk e do Albin Kurtin dhe fitorja e tij në Kosovë për Ramën ka qenë e përkthyer në një dramë politike, sepse ai mendonte të vazhdonte të luante rolin me faktorët që ai i kishte në partneritet në Kosovë dhe Beograd. Tani çfarë ndodh, në momentin që Albini fitoi zgjedhjet, Rama nuk mund të dalë hapur sepse kuptohet halli që ai ka nëse del hapur dhe kundërshton Albin Kurtin, prandaj nxitoi ta priste edhe në Tiranë. Sigurisht jam dakord me atë që thotë Bejtja dhe nuk e luan topi, që Albin Kurti dhe pa bërë asgjë, mjafton të dalë në fotografi është diferenca kolosale, po e deshe intelektuale, morale, politike, korruptive, mëkatare./tvklan.al