“Nuk mund të ketë konflikt mes një gjenerali dhe një ushtari”

Teksa vizitonte disa ditë më parë një prej familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, Edi Rama i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj që të dilte në mëngjes dhe të lyente hyrjen e një pallati.

Kjo deklaratë e kreut të qeverisë u komentua këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Analisti Armand Shkullaku tha se për herë të parë i ka ardhur keq për Erion Veliajn për mënyrën se si kryeministri e trajtoi.

“Ndoshta Rama në subkoshiencë nuk e quan 30 Qershorin të zgjedhur dhe Erionin e konsideron të emëruar. Edhe për mua Veliaj këtu e kaloi me elegancë. Dihet mendimi që kam për Veliajn, por për herë të parë më erdhi keq për Veliajn për mënyrën si e trajtoi. M’u kujtua ajo mbledhja e Byrosë Politike të Enverit që thoshte “Po po, partia të ka vënë, partia të heq”. Ky thotë “unë””, tha Shkullaku.

Megjithatë, analisti tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri një gjë më të shëmtuar se Rama pas kësaj deklarate.

Ai doli në një televizion dhe tha se kryeministri nuk e kishte me të, por me administratorin e pallatit.

“Ajo që bëri më keq Erion Veliaj është më e shëmtuar se kjo e Ramës. doli në Top Channel tek Luana Vjollca dhe deklaroi që “Kryeministri nuk e kishte me mua, por me administratorin e pallatit dhe ai i ziu doli që në mëngjes dhe e leu”. Kurse këtu thotë “po, si urdhëron, ju jeni perfeksionist”. Njeriu sado që varet nga vullneti i njëshit se dihet në një parti politike, por gjithsesi duhet të ruash një lloj raporti. Mendoj që edhe dinjiteti njerëzor ka një kufi. Të paktën ta kalonte në heshtje atë gjë, mos ta justifikonte”, tha Shkullaku.

Sipas Shkullakut, nuk ka konflikt mes Ramës dhe Veliajt.  “Nuk mund të ketë konflikt mes një gjenerali dhe një ushtari”, tha ai. /tvklan.al