3 prej tyre nga Wuhani, vatra e koronavirusit

Prej 50 punëtorët e kompanisë ndërtimore kineze “Sinohidro”, dhjetëra prej të cilëve janë larguar për pushime në Kinë dhe pritet që të kthehen për ndërtimin e autostradave në Maqedoninë e Veriut, tre janë nga rajoni kritik i Vuhanit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thekson se autoritetet kineze kanë dhënë udhëzime parandaluese, që ta prolongojnë kthimin e tyre në Maqedoninë e Veriut.

“Nga 50 të punësuarit, tre janë nga rajoni kritik. Të gjithë qytetarëve që udhëtojnë jashtë vendit nga ky rajon kritik para largimit  u rekomandohet karantinë 14 ditore. Do të thotë autoritetet kineze në mënyrën e duhur kanë siguruar se do të dërgojnë jashtë vendit vetëm persona të shëndoshë të cilët e kanë kaluar periudhën e inkubacionit, që është për t’u përshëndetur”. 

Ministri Filipçe gjatë ditës së sotme pret më shumë detaje për gjendjen shëndetësore të tre shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë në karantinë në portin detar japonez Jokohama, pasi u zbulua se ka udhëtarë të sëmurë dhe se numri i të infektuarve po rritet vazhdimisht. Gjithashtu ai tha se do të njoftojë se në çfarë gjendje është edhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut, tashmë disa ditë në karantinë në Francë, për shkak të koronavirusit, dhe kur do të jetë në gjendje të kthehet në vend. Gjatë kthimit, siç njoftohet, këta persona do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore që të bëhet parandalimi i “importit” të virusit.

Klan Macedonia