Katër ditë para shënimit të ditëlindjes së revolucionarit Goce Dellçev, çështje që ka shkaktuar tensione në mes individëve dhe grupeve në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, autoritetet në Shkup shprehin bindjen se merren të gjitha masat që të mos vijë deri te përshkallëzimi dhe prishja e paqes dhe sigurisë. Kryeministri Kovaçevski ka paralajmëruar mundësinë që individëve të caktuar të mos u lejohet hyrja në vend, në qoftë se vlerësohet se sjellin rrezik, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme Spasovski ka theksuar se do të ketë përgjigje të ashpër për të gjithë ata që do të përpiqen të shkaktojnë trazira.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut shprehin bindjen se në nivel shtetëror ekziston marrëveshje në mes Shkupit dhe Sofjes të parandalohen përpjekjet e individëve dhe grupeve që ditëlindja e Goce Dellçevit, 4 shkurti, të shfrytëzohet për prishjen e marrëdhënieve dypalëshe, përmes populizmit dhe shpërthimeve nacionaliste. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, siç njofton KlanM, nuk përjashton ndalesën e mundshme për hyrje të individëve, në qoftë se vlerësohet se janë të rrezikshëm dhe planifikojnë eskalim dhe trazira.

“Ministria e Punëve të Brendshme i përmbahet ligjit për të huajt, në të cilin ekziston dispozitë sipas së cilës shtetas i një shteti tjetër i cili paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe rendin publik mund të mos lejohet të hyjë në shtet”, deklaroi Kovaçevski.

Apeli i Ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, siç njofton KlanM, është që qytetarët të mos i dëgjojnë thirrjet e grupeve që vendosen mbi institucionet shtetërore.

“Si qytetarë mos iu nënshtroni thirrjeve të cilitdo qoftë subjekti politik dhe të merrni kompetencën e institucioneve. E kaluara ka treguar se ata që i motivojnë njerëzit me pretendimin se mbrojnë demokracinë, shtetin, kombësinë, ata mbeten të paprekur, ndërsa ata që i sulmojnë institucionet tani janë në burg. Të lejojmë që nderimi të jetë dinjitoz, institucionet do të kujdesen për rendin“, tha Oliver Spasovski.

Ky mesazh i Spasovskit i drejtohet strukturave të opozitares VMRO-DPMNE, të cilat bëjnë thirrje për të ashtuquajturën “roje heroike” në varrin e Dellçevit, por grupeve në Bullgarinë fqinje të cilat u kanë bërë thirrje bashkëqytetarëve të tyre të udhëtojnë drejt Shkupit, ku pohojnë se prehet “heroi i historisë bullgare.”

Klan Macedonia