Temperaturat do të arrijnë mbi 20 gradë, pas mesjave priten reshje të pakta shiu
Fillimi i javës ka nisur me diell dhe mot të qëndrueshëm. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve temperaturat do të jenë të larta dhe nuk priten reshje deri në mes të javës.
“Deri në mesin e javës, parashikohet që moti të jetë i qëndrueshëm, me diell, të ketë vranësira të lehta, temperatura të larta. Mbeten temperaturat mbi 20 gradë. Dita e enjte dhe e premte do t’i ketë më shumë prezente vranësirat. Parashikohet që të enjten të kemi reshje të pakta në jug dhe në juglindje, mbeten me kthjellime veriu dhe qendra. Ndërkohë, dita e premte do të shtojë vranësirat duke sjellë dhe reshje në territor. Reshjet do të jenë të pakëta dhe të papërfillshme dhe kryesisht në zonat jugore. Do të kemi pak a shumë një episod i ngjashëm me reshjet që kemi kaluar përgjatë fundjavës që janë herë pas here të pakëta dhe rebeshe të izoluara vetëm në zonat malore.”
Meteorologët thonë se dita e enjte do të sjell reshje të pakta shiu, ndërsa temperaturat do të ulen me dy gradë, por sërish muaj Mars nis i ngrohtë.
“Temperaturat e ajrit pas të mërkurës do të pësojnë një rënie të lehtë dhe graduale nga dita në ditë duke bërë që nga 21 apo 22 që ne presim përgjatë pjesës së parë të javës e enjtja dhe e premtja të jenë rreth vlerës 19 gradë. Nis dhe muaji i pranverës, Marsi me temperatura të larta, me 2 ose 3 gradë më të larta se mesatarja.”
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve pjesa e parë e muajit Mars do të ketë mot të qëndrueshëm dhe ngrohtë.
Klan News