Mimoza Noka tregoi për “Stop” se vjehrri i saj ishte dorëzanë për një shokun e tij, i cili kishte marrë kredi në një bankë. Shoku nuk e shleu kredinë, kështu që vjehrri duhet të paguante detyrimet prandaj dhe iu bllokua një tokë.

Më pas detyrimet u shlyen. Vjehrri nuk jeton më dhe prej dy vitesh zonjës i ka vdekur edhe bashkëshorti. Çelja e trashëgimisë është bërë dhe zonja kërkon që të marrë pjesën e saj, por prona vazhdon të jetë e bllokuar edhe pse ka depozituar dokumentet, që detyrimet janë shlyer.

“Vjehrri i ka shlyer këto detyrime. Kemi marrë edhe dokumentet që nuk kem asnjë lloj detyrimi tek kjo bankë. Mua më mbahet puna prej 2 vjetësh peng dhe nuk më zhbllokohet. Vjehrri ka 5 vjet që ka vdekur dhe kam shkuar tek të gjitha kreditë e këqija dhe thonë që nuk kemi asnjë lloj detyrimi”, tha denoncuesja.

Kadastra kërkonte dokumentin origjinal dhe ai u dorëzua. Së fundmi i erdhi një shkresë, që problematika ishte ezauruar dhe më pas nisi problemi nga fillimi, pasi numri i pasurisë ishte gabim dhe nuk ishte dokumenti origjinal.

“Mua kur e çoj dhe pres kartelën të zhbllokuar në atë kohë shikoj që problemi është kthyer nga fillimi dhe thotë që juve nuk e keni depozituar dokumentin origjinal për heqjen e sekuestros kur vetë zyrat e përmbarimit e kanë çuar dokumentin origjinal”, tha denoncuesja.

Pas ndërhyrjes së gazetares së “Stop”, problematika u zgjidh dhe prona do të lirohet nga masa sekuestro konservative./tvklan.al