Një qytetare nga Lezha e quajtur Mirela Huti është ankuar pranë emisionit Stop në Tv Klan për një problem me një kredi bankare. Ajo tregon se ka marrë një kredi në ProCredit Bank, të cilën e ka shlyer në vitin 2010.

Në vitin 2021 i bllokohen pagat dhe në bankën ku i kalon rroga i thuhet se është bllokuar nga MicroCredit, pasi ka një kredi të pashlyer.

Mirela Huti: Në vitin 2003 kam marrë një kredi dhe kredia është e mbyllur. Te Procredit kam marrë 2 milionë Lekë. Në vitin 2010 e mbylla si kredi. Në datën 10 Janar 2022, kur shkova te banka të merrja rrogën më thanë që të ka ardhur një shkresë për bllokim rroge. Nuk kam kredi i thashë te banka se unë e kam shlyer. Shkresa kishte ardhur nga përmbaruesi një vendim gjykate për bllokim rroge. Erdha këtu në Tiranë te Microcredit, ata thonë se ke marrë kredi në 2010. Unë kredi nuk kam marrë. Debia është 3.7 milionë Lekë më thanë. Tani më kanë bllokuar dy rrogat. Kam fëmijët pa bukë në shtëpi, një vajzë e kam me astmë. Këta kujtohen pas kaq viteve tani që Mirela Huti rezulton se ka një kredi.

Zonja thotë se ka marrë vërtetim nga banka ProCredit, se nuk ka asnjë detyrim ndaj saj. Bllokimi i pagës e ka lënë pa mundësi për të ushqyer veten e familjen e saj.

Punonjësja e bankës: Ke marrë një kredi tek banka Procredit, në vitin 2010. Tani vlera ka kaluar tek ne si kredi bashkë me shifrën 3 milionë e 784 mijë lekë të vjetra. Kaq ka shkuar. Zonja pretendon, se e ka mbyllur. Na la dhe një vërtetim. Është mbajtur dhe një kërkesë për pretendimin, që ka ngritur dhe tani do ta verifikojmë. Do e nisim tek administratori dhe nëse del, që ka të drejtë, do i hiqet kredia. Në qoftë se jo, do e lajmërojmë. Tani merri dokumentat dhe s’ke pse firmos gjë! Merri dokumentat! Shikoji, analizoji dhe të bindesh me veten tënde!

Duke folur për këtë çështje, avokati Arben Llangozi thotë se kjo dosje ka mangësi dhe nuk përcaktohet vlera e kredisë.

“Kjo praktikë ka një mangësi thelbësore ose ka shumë mangësi që duhet t’i kishte pjesë të akteve të saj. Zonja na rezulton që kredinë e marrë në datën 24.9.2010 e ka likujduar në datën 8.9.2013. Dhe kjo është e vërtetuar me vërtetimin e dhënë po nga banka që zonja i është drejtuar bankës dhe ka thënë që çfarë kredie dhe çfarë detyrimesh kam pranë jush, dhe banka i ka çuar një praktikë dhe i ka thënë që është marrë kredia në vitin 2010 dhe është shlyer totalisht në vitin 2013. Ajo që është më e çuditshme është se kjo kredi i është kaluar në datën 31.8.2015 MicroCredit Albania. Dhe ajo që është më e çuditshme, që konstatoj nga dokumentacioni, në datën 31.8.2015 ProCredit Bank i është drejtuar gjykatës për lëshimin e një urdhri ekzekutimi. Pra kemi një kontradiktorialitet. Në datën 9.12.2015 është lëshuar urdhri i ekzekutimit kur ndërkohë rreth 3 muaj më parë kjo kredi i ka kaluar MCA-së. Banka ka lëshuar një urdhër ekzekutimi kur nuk ka qenë më kredimarrëse, sepse në datën 31.8.2015 ja ka shitur kredinë MCA. Këtu kemi një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga gjykata të çuditshëm sepse gjatë gjithë rastit në fjalë nuk kemi asnjë lloj dokumentacioni që të provojë se sa është vlera e kredisë. Gjykata nuk ka asnjë lloj vlere kredie dhe më pas të ketë dalë që të vërtetojë që ka një detyrim i cili duhet të ekzekutohet, ashtu siç ka vepruar”, thotë avokati Arben Llangozi.

Gazetarja e emisionit shkon pranë bankës në fjalë, por aty nuk pranojnë t’i japin informacion.

Punonjësja: Hiqe pak atë mikrofonin!

Gazetarja: E le kamerën jashtë?

Punonjësja: Keni ardhur për debitor?

Gazetarja: Po!

Punonjësja: Më jep autorizim, ose prokurën!

Gazetarja: Jo, jo! Unë kam ardhur të interesohem për një rast, që është drejtuar tek unë. Për cfarë të ta jap prokurën dhe autorizimin? Për cfarë? Për cfarë?

Punonjësja: Që të të jap informacion.

Gazetarja: Ju keni bllokuar një pagë në qytetin e Lezhës. E keni bllokuar mbi cfarë baze? Ka ardhur klienti dhe ju i keni thënë, që do ta verifikojmë. Si do ta verifikoni?

Punonjësja: Kush është klienti?

Gazetarja: Mirela Huti është klientja. I keni thënë, do ta verifikojmë. Nuk bëhet më parë verifikimi, para se të bllokohen pagat?

Punonjësja: Mirela ka ardhur edhe ta sqarojmë. Dy orë ka, që ka ardhur. Ta verifikojmë dhe ta sqarojmë ne!

Gazetarja: Unë kam vetëm një pyetje. Nuk bëhen verifikimet më parë?

Punonjësja: Nuk hyni me kamera sa herë të doni juve! Hiqeni kamerën, mikrofonat..!

Gazetarja: Kamerën e ke jashtë! A e le jashtë? Tani m’u përgjigj! Tani m’u përgjigj, meqë the do flasim!

Punonjësja: Neve e kemi sqaruar.

Gazetarja: Nuk e keni sqaruar, se i keni bllokuar dy paga.

Punonjësja: Po prit moj, se nuk e kemi verifikuar akoma.

Gazetarja: Po ia keni bllokuar pagat, pra. Bëhen verfikimet, para se të bllokohen?

Punonjësja: Patjetër, që janë bërë. Nga ana jonë jemi shumë okay. Dil pak përjashta, se do të thërras unë!

Gazetarja: Jo, nuk dal pa marrë një përgjigje!

Punonjësja: Do dalësh, pra mos të marr security-n, të lutem. E para, s’e kam për detyrë të të jap informacion, se nuk të njoh fare ty me mikrofon, pa patur një prokurë!

Gazetarja: Nuk kam pse të  kem një prokurë, në momentin, që asaj zonjës…Të lutem..!

Punonjësja: Nuk të njoh fare! Më vjen pa një mjet identifikimi e me mikrofon në dorë.

Gazetarja: Ma kërkove mjetin e identifikimit dhe s’ta dhashë? Më fute brenda. I bllokoni pagat pa i verifikuar më përpara. Nuk ke një përgjigje, që të ma japësh?

Punonjësja: Dil pak jashtë! (Thërret rojen)

Gazetarja: Derën nuk keni pse ta mbyllni! Shko nxirri nga zyra, se u mbyllën vajzat!

Avokati Llangozi e cilëson këtë kontratë si fiktive, ndërsa bllokimin e rrogës së zonjës nga një zyrë avokatie e konsideron tërësisht jo ligjore, pasi nuk është atribut i saj.

“Kemi një kontratë fiktive sipas meje, kemi kontratën e lidhur midis MCA-së edhe zonjës dhe disa familjarëve të saj, ku është bërë ristrukturimi në vitin 2019 dhe kjo kontratë është e pavlefshme. Së pari, kontrata nuk ka të përcaktuar se çfarë po ristrukturon, kë kontratë kredie po ristrukturon. Nuk është e shkruar në asnjë pjesë. E dyta është që kontrata e ristrukturimit nuk ka asnjë lloj detyrimi për arsye sepse sipas vërtetimi të marrë nga zonja pranë ProCredit Bank kjo kredi është mbyllur në vitin 2013 dhe s’ka asnjë lloj detyrimi. Zonja e ka mbyllur si kredi, ka përfunduar shlyerjen e saj dhe është lidhur kontrata në datën 13.4.2019, një kontratë absolutisht e pavlefshme që nuk mbart asnjë lloj detyrimi dhe sipas meje kjo kontratë është e lidhur në kundërshtim me nenin 97 e vijues të Kodit Civil. Ajo që është më e çuditshme, që më rezulton nga dokumentacioni, që këtë kredi e ka bllokuar një zyrë avokatie që kjo s’ka lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, por kjo është një zyrë avokatie ashtu siç jemi të gjithë ne që funksionojmë në Republikën e Shqipërisë, nuk bëjmë ekzekutime vendimesh gjykatash. Dhe këto vendime të gjykata i ekzekutojnë zyra të përmbarimit që në rastin konkret banka që ka bllokuar llogarinë e zonjës është në shkelje sepse nuk duhet të bllokojë llogarinë në bazë të një kërkese të një zyre avokatie”, u shpreh avokati Llangozi.  /tvklan.al