Shlyerja e TVSH brenda Shtatorit

Shlyerja e TVSH brenda Shtatorit

15:35 08/06/2019

Brenda muajit Qershor administrata tatimore do të paguajë të gjitha detyrimet e prapambetura që ka për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për biznesin fason.

Deri tani janë dhënë 87 milionë dollarë rimbursime të kësaj takse që kishin mbetur prej vitit 2018, ndërsa është rritur ndjeshëm fluksi i shlyerjes së tyre.

Në një intervistë për Televizionin Klan, drejtori i Rimbursimit, Aldo Ndoca, sqaron se brenda muajit Shtator do të paguhen edhe bizneset e tjera, duke nisur nga eksportuesit, të cilët janë në mungesë likuiditeti edhe për shkak të dobësimit të euros dhe më pas do të vazhdohet me sipërmarrjet e vogla e të mesme.

Ai thotë se për bizneset e mëdha, administrata ka hyrë në marrëveshje për të paguar me këste detyrimet e prapambetura të TVSH-së. Shkak kryesor për rritjen në 180 milionë dollarë të faturës për këto detyrime janë kërkesat e paparashikuara nga disa kompani të mëdha si TAP etj.

Por bizneset janë të shqetësuar pasi vonesat mesatare në kthimin e TVSH-së janë 6 muaj, ndërsa ka ndërmarrje që kanë edhe një vit pa marrë pagesat. Konfindustria thotë se kjo le të hapur rrugën për abuzim dhe korrupsion në radhën e rimbursimit.

“Vonesat e gjata kohore të kthimit të TVSH dhe pasojat e rënda financiare për bizneset shërben si burim i lindjes së korrupsionit në agjencitë ekzekutive, që mund të shkojnë deri në 20% të vlerës.”

Por pikërisht për këtë tatimet thonë se kanë ndërtuar një sistem online ku secili do të shohë radhën e shlyerjes së detyrimit.

“Çdo biznesi në dosjen e tij personale që ka në sistemin e administratës tatimore i ka shkuar njoftimi për shumën dhe kohën kur do të marrë detyrimin e prapambetur të tatimit mbi vlerën e shtuar. Kjo nismë është bërë për të shmangur abuzimet.”

Tv Klan

Të ngjashme
UKT