Policia Bashkiake: Përgjegjësia është individuale

Në stacionet e autobusëve dhe linjat urbane është e detyrueshme mbajtja e maskës. Por siç shihet nga pamjet në autobusë hipin dhe zbresin qytetarë që nuk mbajnë maskë. Kur i pyet se përse e shkelin ligjin, nxjerrin justifikime të ndryshme.

“E kam në xhep, por sa u futa”.

“E kemi, e kemi”.

“E kam në çantë ja do e vendos”.

“E kam në çantë, por nxitoja të zbrisja me vajzën e vogël”.

“E kam lënë në shtëpi”

Edhe ky shofer autobusi që përpiqet të justifikohet drejton pa maskë.

“E hoqa se piva pak ujë”.

Ashtu si pasagjerët edhe ai përpiqet t’ia hedhë kamerës.

Jo vetëm maskat, por në autobusë nuk ruhet as distanca. Përfaqësues të urbanëve thonë se nuk ka kufizim për kapacitetet.

“Është në përgjegjësinë e qytetarit që nëse e shikon autobusin me shumë njerëz të mos hipë. Ne propozuam që të ishte si vendet e rajonit, por nuk u mor parasysh”, tha Rixhin Qosja, përfaqësues kompanie për transportin publik.

Drejtues të Policisë Bashkiake thonë së zbatimi i masave anticovid në transportin publik është përgjegjësi individuale. Afro 2 muaj që nga hapja e transportit publik, janë marrë gjoba për shoferë dhe udhëtarë, por sjellja nuk ka ndryshuar.

“Është e pamundur të kontrollojmë çdo linjë. Ne kemi vepruar si këshillues, por kemi marrë edhe masa administrative”.

Në Shqipëri shkelja e masave anticovid po sjell rritje të numrit të të infektuarve. Në vendet e rajonit transporti publik funksionon nën rregulla strikte, ku ruhet distanca dhe maska është e detyrueshme.

Tv Klan