Humbja e kontrollit të mjetit në kthesë shkaktoi dy viktima dhe një fëmijë të plagosur në Bura të Niklës. Ekspertë të aksidenteve rrugore pasi kqyrën vendin e ngjarjes, arritën në përfundim se drejtuesi i mjetit Islam Malja, 75 vjeç, përpara se të përfundonte disa metra poshtë rrugës ka bërë lëvizje të çrregullt të automjetit në një distancë prej 30 metrash.

Ata dyshojnë se kjo ka ndodhur pasi drejtuesi ka humbur ndjenjat, duke mos e pasur nën kontroll automjetin. Për pasojë në kthesën e parë furgoni ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra poshtë saj.

Aksidenti ka rezultuar fatal për drejtuesin e mjetit Islam Malja dhe pasagjeren 49-vjeçare Lindita Mjekra, të cilët ndërruan jetë në vend. Ndërsa djali 10 vjeçar i Mjekrës mbeti i plagosur, pa rrezik për jetën. Aksidenti tragjik ndodhi pasditen e së shtunës.

/abcnews.al