Humbja e kontrollit të mjetit nga ana e drejtueses është bërë shkak për aksidentin e hënës në Berat ku humbi jetën 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj dhe djali i saj vetëm 6 vjeç.

Ky është përfundimi që kanë arritur ekspertët e Policisë Rrugore të Beratit pasi kanë bërë matjet e nevojshme në rrugë dhe kanë parë kamerat e sigurisë.

Televizioni klan ka mësuar gjithashtu se shkak për humbjen e kontrollit të makinës mund të jetë bërë tërheqja e vëmendjes së drejtueses së mjetit, i cili më pas përfundoi në lumë.

Ky përfundim paraprak i arritur nga grupi i hetimit përforcohet akoma më shumë dhe nga fakti që viktima nuk kishte shumë eksperiencë në drejtimin e mjetit pasi rreth 1 muaj më parë ishte pajisur me leje drejtimi.

Kjo është evidentuar edhe nga ekspertët e rrugores gjatë kqyrjes së kamerave të sigurisë.

Nënë e bir po lëviznin në rrugën ‘Antipatrea’ në segmentin nga Ura e Gorricës ne drejtim te Urës së Re, ku pas një parakalimi makina e tyre bën një devijim fillimisht në të majtë dhe më pas në të djathtë duke përfunduar në lumë. Fillimisht automjeti tip Benz është përplasur me barrierat metalike të rrugës por as ato nuk e kanë shmangur tragjedinë, me makinën që përfundoi në lumin Osum. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të qytetarëve të rastit, nënë e bir nuk mundën të shpëtonin.