Grupi hetimor në policinë e Tiranës ka arritur në përfundim se arma që u përdor për  vrasjen e Mehmet Qemës, është e autorit 28-vjeçarit Marjus Dema. I riu para grupit hetimor gjatë dëshmisë mohoi që arma të jetë e tij, madje ngriti pretendimet se ishte e viktimës dhe nuk e dinte se kishte fishek në fole. Kjo është faktuar nga hetuesit pas marrjes në pyetje të 5 shokëve të tjerë të arrestuar, të cilët kanë treguar se pistoletën e mbante 28-vjeçari Dema pa leje të posaçme.

Para oficerëve të policisë, shokët e viktimës dhe autorit, kanë dhënë të njëjtën alibi ngjarjeje, atë të vrasjes aksidentale. Xhuljano Koçi, ka qenë personi që ka fshehur armën pa karikator në disa shkurre afër vendngjarjes. Ai u tha hetuesve se armën ia kishte marrë autorit nga dora pasi ka tentuar vetëvrasjen.

Natën e ngjarjes policia teksa po kërkonte për kamerat e sigurisë, ka zbuluar dhe dy makineri të cilat përdoreshin për prodhimin e kriptomonedhës, Bitcoin.

Monedha virtuale është gjetur rastësisht, kur ekspertët e kriminalistikës u ngjitën nga dritaret në katin e dytë për të sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë.

Sipas hetuesve të krimit kibernetik, pajisjet e sekuestruara, ishin në fazën testuese për prodhimin e Bitcoin. Ngjarja e 5 Majit është ndarë në dy dosje, atë të vrasjes që po hetohet nga prokuroria e Tiranës dhe policia dhe atë të prodhimit të monedhave virtuale.

Klan News