Ai rrëfen se Rudolfi nisi të kishte probleme pas karantinës

Rudolf Nikollaj sulmoi me thikë 5 persona këtë të hënë në xhaminë në rrugën e Kavajës në Tiranë, duke i lënë ata të plagosur. Në një lidhje me Klan News, miku i tij i ngushtë Xhevdet Spahiu thotë se ngjarja ka ardhur për shkak se 34-vjeçari është i sëmurë.

Ai rrëfen se Rudolfi nisi të kishte probleme me depresionin pas karantinës. Miku i tij tregon më tej se në takimet që kishte pasur me të, Rudolfi kishte paranoja. Ai i thoshte se ishte frikë se mos ekzekutonin.

Spahiu mohon që veprimi i sotëm të ketë lidhje me terrorizmin. Ai fajëson autoritetet përkatëse që nuk kanë marrë masa për kurimin e 34-vjeçarit, për të cilin tregon se është me kartelë, se ka qenë i shtruar të paktën 2 javë në spital psikiatrik dhe se prej disa kohësh nuk pranonte të merrte mjekim.

Prej sa kohësh jeni miq me Rudolfin dhe në çfarë rrethanash jeni njohur?

Unë jam nga e njëjta zonë me Rudolfin, jam mik prej 20 vitesh, kemi qenë shokë shkolle, lagje, kemi banuar bashkë për dy vite në kohën e studimit të shkollës së lartë.

Pra mund të thuhet që jeni miq fëmijërie apo jo.

Po po njihemi prej shumë vitesh.

Ke dijeni për ngjarjen që ndodhi sot, ose motivin që çoi Rudolfin të bënte këtë akt?

Motivi është që ai ka qenë në depresion, ka qenë me ilaçe, ka qenë me kura, ka shumë kohë që ai nuk po merr kurat, unë jam në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e vet, sepse ai ka bërë një ngjarje të ngjashme pak muaj më parë me një mikun tonë të përbashkët, e ka plagosur edhe atë pa arsye. Shkaku është që ai është i sëmurë, nuk është se ka arsye tjetër.

Foto: Autori i plagosjes Rudolf Nikolli dhe thika e përdorur prej tij

Është i sëmurë prej sa kohës? Ka qenë i sëmurë gjithmonë, apo është një sëmundje që e ka kapur kohët e fundit.

Jo, ai ka qenë një tip shumë normal, shumë pozitiv, shumë aktiv, me biznes, me punë, ka jetuar dhe jashtë, por në kohën e karantinës nuk e di çfarë i ka ndodhur, paranoja, frika… Unë e kam takuar rastësisht edhe nëpër Tiranë, nuk ulej në kafe, kam frikë, thoshte, do më kapin, do më ekzekutojnë, nuk di ta shpjegoj dmth. E rëndësishme është që ai ka pasur nevojë për mjekim, mjekimin se ka marrë dhe ka arritur aty ku ka arritur. Ka bërë dhe gjëra më të vogla se kjo që ka bërë sot. Përfitoj nga rasti t’i uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve. Por se mungesa e le të themi, e organeve shtetërore, që nuk e kanë mbajtur. Sepse ai është arrestuar, është liruar, ka shkuar në spital, prapë e kanë lënë të ikë. Ose problemi ndoshta edhe i familjes që nuk e kanë mbajtur brenda, nuk di çfarë të them. Ideja është që kjo ka ndodhur vetëm për shkakun që është i sëmurë, nuk ka lidhje as akt terrorist, as dhunë fetarë, asnjë gjë. Unë e njoh prej vitesh.

Ju thatë që ka bërë dhe gjëra të tjera më të vogla, çfarë gjërash të tjera ka bërë miku juaj?

E vogël nuk është, para disa muajsh ka plagosur një shokun tim tjetër në një terminal autobusësh. Kjo mjafton për të marrë masa shteti, për kurimin e tij. Që derisa mjekët të marrin vendimin që ai është i aftë që të lihet i lirë, ose në shtëpi ose në kujdes, duhet që ta mbajnë qoftë në spitalin e burgut, qoftë në një spital shtetëror.

Ju thatë që ai nuk është ndihmuar nga autoritete përkatëse, mbase nuk është ndihmuar edhe nga familja. Në fakt Rudolfi ka kryer analiza, ka diçka të konfirmuar që ai ka probleme të shëndetit mendor?

Po ai ka qenë i shtruar në spital psikiatrik në Tiranë. Ka më shumë se 6 muaj që merr ilaçe vazhdimisht, të paktën më që ua kanë rekomanduar, se familjarët e vet thonë se ai ka shumë kohë që nuk i merr, nuk i pranon, sepse ai nuk e pranon faktin që është i sëmurë. Është me kartelë.  Sa kohë ka qëndruar në spital psikiatrik, nuk e di saktë, por e di që ka qëndruar 2 javë i shtruar pastaj është ndjekur, ka shkuar 4 ditë, ka ikur, ka shkruar 3 ditë, ka ikur.

Ju keni akoma kontakte me Rudolfin, gjatë këtyre kohëve keni pasur frekuentim?

Unë e kam takuar rastësisht para dy javësh, këtu afër Klanit. E kam ftuar për kafe, më ka thënë që nuk ulem në kafe, mua më ndjekin, duan të më vrasin, gjëra të tilla, por ka pasur probleme, kjo është kryesorja. Edhe ngjarja për shkak të problemeve shëndetësore.

Ju mendoni se janë gjëra të imagjinatës së tij apo kishte diçka konkrete në shqetësimet që të ka shprehur?

Besoj që është çështje imagjinate, konspiracione, gjëra që ka menduar, nuk di ç’të them. Unë ka shumë vite që e njoh, ai ka jetuar disa vite në Angli, kur është kthyer ka shfaqur këto problem.

Pse në xhami, mendoni se ka lidhje me besimin e tij fetar?

I sëmuri mund të jetë edhe katolik edhe mysliman, mund të jetë edhe ateist. Unë mendoj që akti është bërë për shkak se ka qenë i sëmurë. Ai përkatësinë fetare e ka katolik, por kjo pak rëndësi ka. Ai është konvertuar, por nuk besoj që ka lidhje kjo me aktin.

Është katolik i konvertuar në mysliman, prej sa kohësh?

Disa prej tyre i njoh sepse edhe unë vetë jam praktikant, por besoj që nuk është se ka lidhje konvertimi i tij me ngjarjen, gjithsesi ai ka më shumë se 17 vjet që është i konvertuar.

Pra është një kohë e gjatë… Duke qenë se jeni miku i tij i ngushtë dhe nëse keni informacione, ka pasur njohje me personat të cilët i ka plagosur sot në xhami?

Jo. Me asnjërin prej tyre nuk ka pasur njohje, sepse unë i njoh personat që janë plagosur, shyqyr që kanë shpëtuar. Por me asnjërin nuk ka pasur njohje. Nuk ka pasur asnjë motiv, asnjë gjë personale, thjeshtë ashtu ia ka dhënë, ka patur kriza nervore, nuk ka marrë ilaçet ka disa kohë.

Përveç akteve që ai ka kryer muajt e fundit, të cilët ju i përmendët vetëm pak më parë, ka shfaqur shenja agresiviteti më herët gjatë fëmijërisë suaj, apo dhe gjatë kohës që keni studiuar dhe jetuar bashkë në një apartament?

Jo. Një njeri fantastik, shembull, ka ndihmuar shumë njerëz, ka qenë marrë me biznes, ka punësuar njerëz, ka lëvizur. Në familjen  e vet ka qenë shumë pozitiv, shembull për gjithë vëllezërit e vet, sepse është më i madhi i familjes, po ashtu edhe për motrat.

Ku jetonte aktualisht Rudolfi, në Tiranë apo në Burrel?

Ai jetonte në Burrel, atje e ka rezidencën në Klos. Ndërsa në Tiranë jetonte tek shtëpia e vëllait, i cili punon dhe jeton në Tiranë, në një apartament me qira.

Pse mendoni që familja e tij nuk i ka dhënë ndihmën e duhur, ka ndonjë arsye, apo nuk e ka kuptuar gjendjen psikologjike?

Familja e ka mbështetur vazhdimisht, por them se për sa kohë ka ndodhur ky akt ndoshta duhej mbajtur brenda, nuk duhej lihej, ose të insistohej që të merrte ilaçe. Sepse ai shumicën e familjes ai i ka jashtë. Në Shqipëri vetëm prindërit ka dhe këtë vëllain që ka në Tiranë. /tvklan.al