Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Në ditët e prag festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shoqata e sapoformuar humanitare e ekspertëve të armëve, municioneve dhe eksplozivëve Safer Albania, ka organizuar shpërndarjen e ndihmave për familjet e ushtarakëve dhe civilëve të cilët patën viktima gjatë 1997-1998. Këto ndihma, projekt i kësaj shoqate u siguruan nga bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Tiranë UNHCR.

Ndonëse modeste, shpërndarja e këtyre ndihmave ka shërbyer për të kujtuar dhe lehtësuar sadopak dhimbjet e pjesëtarëve të familjeve. E shpërndarë gjeografikisht nga veriu në jug, kjo shoqatë me interesimin e mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, ka shpërndarë ndihma për 15 familjet e fshatit Selizë të rrethit të Matit, për 23 viktimat që mbetën në tunelet e ushtrisë.

Po kështu në Gjirokastër, në shtëpinë e ushtarakëve u organizua ceremoni dhe u shpërndan ndihma në përkujtim të katër ushtarakëve dëshmorë të atdheut, Vladimir Çumaku, Albert Lelaj, Ferdinand Dosti, Bardhyl Këlliçi, si dhe për ushtarakët e plagosur gjatë kryerjes së detyrës.

Shoqata do të ketë një numër projektesh në dobi të familjeve të ushtarakëve të dëmtuar, por edhe për ushtarakët e liruar, të cilët do të krijojnë mundësitë për të qenë sa më të integruar me jetën shoqërore dhe ato ushtarake./tvklan.al