Shkak, vendosja e Francës dhe Portugalisë në vazot e ulëta

Me kualifikimin e Uellsit në Euro 2020, u plotësua numri skuadrave që e siguruan pjesëmarrjen në fazën finale. Pjesa tjetër do të vijnë nga play off i Ligës së Kombeve.

Me ekipet e plotësuar nga kualifikueset janë përcaktuar edhe vazot, ku mund të kemi përballje të forta që në grupet e Euro 2020. Me Francën, kampione e Botës, në vazon e dytë dhe Portugalinë, kampione e Europës, në të tretën pritet një short interesant më 30 Nëntor në Bukuresht.

Goglat mund t’i vendosin këto përfaqësuese përballë pretendentëve të tjerë si Italia, Anglia, Belgjika, Gjermania apo Spanja. Vetëm parashikimi të bën të mendosh që do të kemi një grup të hekurt ku rrezikojnë të gjithë të mos kalojnë në turin tjetër.

Gjithsesi çdo skuadër ka kohë të përgatitet për turneun që do të nisë më 12 Qershor dhe do të zgjasë deri më 12 korrik të 2020, duke udhëtuar në 12 vende të ndryshme të Europës.

Tv Klan