Teuta peshkon Kukësin, Partizani sfidon Laçin

U hodh në ambientet e stadiumit “Air Albania” shorti për raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Goglat përcaktuan 4 çiftet e këtij raundi, duke prodhuar duele tepër interesante.

Kampionët në fuqi të turneut, Teuta do ketë një përballje zjarri me Kukësin, pretendent për të ngritur lart trofeun e dytë për nga rëndësia në vend.

Duel të paktën në letër për Vllazninë, kryesuese të Superligës. Shkodranët do masin forcat me Korabin, pjesë e Kategorisë së Parë. Emocione dhe grintë pritet të sjellë dueli mes Laçit dhe Partizanit, me kurbinasit që janë kthyer në një hirushe në vitet e fundit në Kupë.

Goglat sollën edhe një klasike të futbollit të disa viteve më parë mes Dinamos dhe Skënderbeut. Skuadrat e kualifikuara do të përcaktohen me një ndeshje dhe jo me sistem vajtje-ardhjeje.

Ky raund do luhet më 17 Mars.

Klan News