Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë për raundin gjysmë final të trofeut shqiptar në futboll. Flamurtari – Tirana dhe Vllaznia – Apolonia janë sfidat që përcaktoj globi nga ku u shpallën edhe këto takime. Ja si e komenton për Tv Klan Vasil Bici, trajner i Vllaznisë ndeshjen me Apoloninë.

Vasil Bici, trajner i Vllaznisë:- “Ka qenë një short i preferuar për ne, jo për ta nënvlersuar skuadrën e Fierit. Mendoj që takimi ndaj tyre nuk do të ketë dhe shumë probleme dhe kemi si ide që në 180 minuta që kemi në dispozicion të hedhim një hap të sigurt që në takimin e parë që kemi në Shkodër”.

Ndërsa mendohet që nga katër skuadra gjysmë finaliste të favorizuara të jenë ato të elitës. Besnik Velia shefi i klubit të Apolonisë, skuadra që mban trofeun tregon.

Besnik Velia, trajner i Apolonisë:- “Them se është e pamundur shkuarja jonë atje për arsye se klubi i futbollit Apollonia është i papërkrahur në këto momente nga pushteti lokal. Kështu që unë e shikoj të çik të vështirë udhëtimin drejt qytetit të Shkodrës”.

Takimet e para do të luhen në Vlorë e Shkodër, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë.

Bujar Shehu është sekretari i ri i Federatës Shqiptare në Basketboll. Pas një karriere të gjatë 35-vjeçare në rolin e trajnerit të Tiranës e të Kombëtares për djem, Shehu e braktis profesionin e tij për tu ulur në karriken e një zyre. Ka qenë largimi i Kastriot Mushit që i ka dhënë mundësi Bujar Shehut ta zëvendësoj atë, duke marrë në dorë drejtimin e kësaj federate.

Do të luaj nesër takimet e javës së 25 të kampionatit kombëtar në futboll, Vllaznia-Partizani, Tomorri-Besa, Teuta-Burreli, Shkumbini-Tirana, Dinamo-Elbasani, Skënderbeu-Lushnja, Bylis-Flamurtari, Laçi-Apollonia. Është menduar që në të gjitha stadiumet e kategorisë së parë të vendosen parrulla në të cilat do të shprehet solidariteti shqiptar për çështjen e Kosovës./tvklan.al