Rama: Segmente të drejtësisë duan referendum kundër qeverisë në 25 Prill

10 vjet pasi mbetën të vrarë në protestën antiqeveritare të opozitës socialiste në 21 Janarit 2011, qeveria i ka akorduar Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtaj titullin “Dëshmor i Atdheut”.

Vetë kryeministri është prirur të mirëkuptoje të gjitha akuzat se nuk është bërë asgjë për të zbardhur dosjen e “21 Janarit”, për të cilën vetëm një ditë më parë Policia e Tiranës kërkoi rifillimin e hetimeve nga prokuroria. Dhe sulmoi përfundimet e nxjerra nga gjykata.

Si çdo vit ripërsërit se as qeveria, as parlamenti nuk kane asgjë në dorë për të bërë drejtësi.

“Parlamenti nuk bën gjyqe e nuk jep vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën roli e Prokurorisë dhe as ministri i drejtësisë dhe as ministri nuk ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën të gjitha këto, pushteti gjyqësor”, tha ai.

Rama e sheh këtë ditë si moment për reflektim transformimi që solli ajo protestë në raport më mënyrën si qeveria i konsideron protestat aktualisht por dhe për transformimin e drejtësisë për të cilën thotë se është në fazën e pastrimit nga llumi. Edhe pse për Ramën ka segmente të këtij sistemi që po bashkëpunojnë me politikën për ta kthyer 25 prillit në një referendum kundër shumicës.

“Ata, të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin me palë të treta të veshur nën togën e zezë të gjykatësve, do të përgjigjen. Do të përgjigjen ashtu siç do të përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar fort, për të bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie, së bashku me udhëheqësin e këtij referendumi”, tha Rama.

Gjithsesi është shpresëplotë te reforma në drejtësi që thotë se është në gjysmë të rrugës dhe këtu ndalet të flasë dhe për procesin e rindërtimit pasi për të mund të hiqen paralele për ecurinë, falë siç thotë mbështetjes që po ju jep qeveria të dy proceseve.

“Drejtësia do ta bëjë të sajën dhe në një farë mënyrë jemi në mes të rrugës mes së djeshmes dhe të nesërmes, siç jemi në mes të rrugës mes së djeshmes dhe të nesërmes në çdo drejtim për hir të vërtetës. Siç janë sot kantieret e rindërtimit pas tërmetit, që janë ende të pabanueshme, por pa diskutim janë aty dhe tregojnë që më e keqja është lënë pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara”.

Si çdo vit nuk munguan dhe homazhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku mbetën të vrarë 4 protestuesit.

Tv Klan