Veliaj: Mbështetja për artin dhe kulturën nuk do të mungojë

Në edicionin  e 6-të të tij, Festivali Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020” i mbështetur nga Bashkia e Tiranës shpalli fituesit për tre kategoritë, ese, prozë dhe poezi.

Kryebashkiaku Erion Vekiaj tha se mbështetja për artin dhe kulturën nuk do të mungojë.

“Të bësh art e kulturë është sfidë në kohët ku jetojmë. Por, kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Komercalizmi, zelli për t’u dukur, ndoshta i kanë shkurajuar ata që merren me letërsi ose mendojnë të investojnënë art e kulturë. Ama, aleanca që kemi krijuar sot me këtë festival, ka mundësi të transformojë, në mos botën, të paktën këtë qytet. Nëse nuk ndryshojmë dot botën, të paktën mund ta përmirësojmë qytetin tonë, qoftë edhe duke u frymëzuar. Do të kemi shanse të tjera si ky festival dhe mezi pres që bashkia të vazhdojë të jetë partneri shqiptar i këtij konkursi”.

Kreu i bashkisë u ktheu përgjigje edhe kritikëve për punën e bërë nga Bashkia e Tiranës për pandeminë dhe tërmetin.

“Detyra e një qyteti në rast pandemie apo tërmeti është të ndihmojë ata më në nevojë, por edhe shpirti ka nevojë të ushqehet me ‘bukë’. Sikur ‘buka për shpirtin’, siç është ky konkurs, të ishte në të njëjtat përmasa me ndihmat, besoj se do të ishim një vend edhe më i mirë, me shpirtin edhe zemrën plot”.

Mes dhjetërave  nxënësve  e studentë të shkollave të kryeqytetit, juria e festivalit vlerësoi me çmim të parë në ese Antea Spahiun, në prozë Ersona Duro dhe në poezi Sara Hidri.

Tv Klan