Gjykata e Lartë ka shpallur zyrtarisht listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kështu nga Gjykata e Lartë kandidatët janë Asim Vokshi dhe Klodian Kurushi

Nga Gjykatat e Apeleve: Vojsava Osmanaj – Gjykata e Apelit Shkodër dhe Ridvan Hado – Gjykata e Apelit Tiranë

Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore: Manjola Xhaxho – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Irena Plaku – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë.

Prej këtyre, 6 (gjashtë) anëtarë të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nga të cilët; 1 anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 anëtarë nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.

Në dy njoftime të saj, Gjykata e Lartë tha informoi se në datë 08.10.2021, ora 11.00, në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve me këtë rend dite: 1. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. 2. Zgjedhja e anëtarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, nga radhët e gjyqtarëve me përvojë.

Për pikën e parë të rendit të ditës Gjykata e Lartë ka bërë njoftimin lidhur me kandidaturat që do të marrin pjesën në garën për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Për pikën e dytë të rendit të ditës Gjykata e Lartë iu bën thirrje gjyqtarëve me përvojë, që kanë kontribuar si ekspertë në programin e trajnimit fillestar dhe vazhdues apo në programe të tjera pranë Shkollës së Magjistraturës të paraqesin kandidaturën e tyre për anëtar të Këshillit Drejtues, duke depozituar aplikimin pranë kësaj gjykate./tvklan.al