Jo vetëm me një skenë madhështore, ndriçim të ndërthurur bukur me notat muzikore, por mbi të gjithë me një vëmendje të veçantë tek detajet.

Kështu ‘Kënga Magjike’ ka arritur të mbajë të mbërthyer spektatorë dhe telespektatorë të ekranit të Televizionit Kombëtar Klan edhe në natën e saj të dytë.

Mbrëmja u hap me një lidhje direkte të Arditit me disa prej prezantueseve të viteve të shkuara të festivalit.

Valbona Selimllari, Elia Zaharia, Armina Mevlani dhe Olta Gixhari,  treguan eksperiencën e tyre në skenën e festivalit më të madh të muzikës moderne.

Kënga e parë që lëshoi notat për publikun ishte ajo e Kellyt, “Ma ka fajin zemra”.

Teksa rrëfeu emocionet e të hapurit natën e dytë të ‘Këngës Magjike’, Kelly tregon gjithashtu se nuk i ka frikë klanet në votim.

“Gjithmonë ka patur klane, por vendimi unanim i kalon klanet”.

Dedikim për motrën e tij, projekti “Ty nuk të kam” i Xhon Jeskut i preku të gjithë, madje bëri të qajë edhe këngëtaren Manjola Nallbani.

Për Iris Nezirin dhe Flor Nazifin suksesi qëndron në mesazhin që mbart një këngë.

“Më e rëndësishmja është që njerëzit ta shijojnë mesazhin e këngës dhe ne të dy të dalim mirë. Personalisht unë e gjej veten shumë në balada, i kemi kënduar dashurisë dhe ja vlen t’i këndosh dashurisë”.

E nëse suksesi qëndron tek mesazhi, Robert Aliaj është një pretendent i fortë me “Ah ku më hodhi Zoti”, një nga këngët më drithëruese të mbrëmjes.

Gjatë u duatrokitën edhe Flori Mumajesi, Klajdi Haruni, Fifi dhe Mc Kresha, Alar Band, dueti Aurela Gaçe – Eli Fara, Rovena Dilo dhe Onat dhe të gjithë konkurrentët e tjerë.

Përveç se shijuan spektaklin madhështor, ashtu siç ishte premtuar pati surpriza edhe për publikun…

Teksa këngëtarët do të votojnë për njëri-tjetrin, edhe gjatë natës së dytë juria votoi për këngëtarët e kategorisë Neë Artist, prej të cilëve, nga 13 kaluan më tej 10 prej tyre.

Nata finale e festivalit të ‘Këngës Magjike’ do të mbahet këtë të shtunë, në Pallatin e Koncerteve, dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Televizionin Kombëtar Klan. Në skenë do të ngjiten 20 artistë, teksa publiku mbetetet me kuriozitetin për të parë se çfarë ka rezervuar mbrëmja e madhe dhe kush do të jenë fituesit e këtij edicioni jubilar, që deri tani ka sjellë mjaft emocione e ritëm.

Tv Klan