Do të ndërtohet nga një bashkim kompanish, ku bazë është firma e Behgjet Pacollit

Është shpallu kompania fituese cila do të ndërtojë aeroportin e Vlorës.

Ministrja e Infrastruktrës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se bëhet fjalë për bashkimin e kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) me aksioner Behgjet Pacollin; YDA – Group kompania që po ndërton spitalin e Fierit dhe 2A Group SH.PK kompani kosovare, ku vlera e investimit është 103.966.030 Euro. 

Kryeministri Edi Rama u shpreh se aeroporti do sjellë krijimin e vendeve të reja të punës në qytetin e Vlorës, teksa tha se është i lumtur që pjesë e kompanive fituese për ndërimin e aeroportit është dhe Behgjet Pacolli.

“Ne kemi fituesin më në fund dhe jam shumë i lumtur që është një kompani me vepra fantastike dhe që ka flamurin shqiptar. Jam shumë i lumtur që Behgjet Pacolli të provojë atë që prej kohësh ka dëshiruar ta provojë, atë për të cilën prej kohësh më ankohet mua sa herë takohemi që si nuk mu dha mundësia të lë gjurmën në Shqipëri dhe të bëjë diçka për Shqipërinë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se plani i Partisë Socialiste është që Shqipëria të ketë katër aeroporte, të cilat sipas tij, do e çojnë vendin në një tjetër nivel ekonomik e social.

Klan News