100 milionë Euro investim për parkun më të madh diellor në Ballkan

Me një çmim që ka surprizuar dhe komisionin e ofertave, kompania franceze “Voltalia as” është fituese e ankandit ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë nga 30 kompani që shfaqen interes.

Çmimi tavan i vendosur nga Ministria Energjetike ishte 55 Euro por oferta e bërë publike këtë të mërkurë ishte 24.89 Euro për megavat, shumë larg kjo dhe pritshmërisë së qeverisë.

Investimi prej 100 milionë Euro në zonën e Karavastasë për ndërtimin e një parku diellor me fuqi prej 140 megavatësh, më i madhi në Ballkan, për Kryeministrin Rama është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare.

“Çmimi justifikon edhe atë mbyllje hermetike të ofertës. Arritëm të finalizojmë këtë proces. Sot jemi në gjendje të shohim konkretisht finalizmin e një përpjekje të madhe për të hapur një faqe të re në historinë e sistemit tonë energjitik, duke përfshirë në mënyrë shumë domethënëse një volum të rëndësishëm, i pari i kësaj natyre të energjisë diellore në sistem. Nga ana tjetër një investim i huaj mbi 100 mln euro që është i rëndësishëm që do të bëhet nga një kompani me prestigj të madh ndërkombëtar. Provë e vullnetit tonë për të rritur standardin, cilësinë e ofertave. Fakti që në këtë rast askush nuk më të ankohet për asnjë element, dhe se procesi ka pasur hije”.

Rama lajmëroi se qeveria ka vendosur të ndërtojë me financat e buxhetit të shtetit dhe hidrocentralin e Skavicës një projekt i premtuar nga të gjitha qeveritë shqiptare.

“Do dalim në një proces tjetër për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Është një objekt strategjikisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund. Jemi përpjekur të gjejmë aktorët e duhur, që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që ta ndërtojmë me forcat tona. Do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtet. Do të jete vështirë, por do të transformojë rrënjësisht sistemin, duke garantuar optimizimin e të gjithë kaskadës. Do të jetë fundi i derdhjes së ujit kur ka me tepri dhe i përmbytjeve që pasojnë si rezultat i derdhjes”.

Ky është ankandi i dytë që realizohet në prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli. I pari është fituar nga kompania India Power në Akërni të Vlorës. Shqipëria ka më shumë se 90% të burimeve të prodhimit të energjisë nga uji.

Tv Klan