Rama: Rindërtojmë gjithçka brenda vitit të ardhshëm

Goditja e lartë sizmike e 26 Nëntorit por dhe ato qindra të tjera që e pasuan, veç jetëve të humbura dhe të plagosurve, kanë lënë një bilanc të ngjashëm me atë të një bombardimi ne qarqet e Durrësit dhe Tiranës për dëmet e shkaktuara.

Në Durrës jane 701 banesa të dëmtuara, 12 prej të cilave të shkatërruara krejtesisht, 176 pallate të pabanueshëm 15 të kthyera në gërmadha.

Në Tiranë, 239 banesa të dëmtuara rëndë si dhe 8 pallate të dalë jashtë funksionit.

Por pavarësisht bilanceve, Kryeministri në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë premtoi se brenda vitit të ardhshëm asnjë shenjë e kësaj fatkeqësie nuk do të jetë më e dukshme.

Me VKM gjendja e jashtëzakonshme do të shpallet dhe në Laç, duke marrë parasysh dhe kërkesën e kreut të opozitës.

Në Durrës dhe Tiranë do të bëhet inventari i banesave stok, të ngelura të pashitura pas ndërtimit që mund t’ju vihen në dispozicion për banim familjeve të pastreha.

Për familjet që kanë patur viktima, prej nesër do të jetë gati paketa e mbështetjes së drejtpërdrejt.

Ndërkohë, sasitë e mbledhura të parave nga donacionet vetëm 4 dite pas fatkeqësisë, janë të konsiderueshme.

Por Kryeministri thotë se do t’i drejtohen dhe çdo partneri ndërkombëtar pasi çdo qindarkë është e nevojshme në këtë situatë.

Për menaxhimin e çdo donacioni jep garanci se do të ketë transparencë totale dhe për këtë kërkon dhe kontributin e opozitës.

Për banorët e zonave urbane urdhëron të hiqen menjëherë nga çadrat dhe të vendosen nëpër hotele, ndërsa për ata të zonave rurale thotë se do të ketë mirëkuptim dhe do të lejohet dhe strehimi provizor në çadra duke qenë se jeta e tyre është e lidhur me tokën dhe blegtorinë.

Edhe për fëmijët ka urdhëruar që sa më parë të bëhet plani i masave që t’ju mundësohet transporti nëpër shkolla.

Tv Klan