Balluku: Në të ardhmen do te jemi eksportues të energjisë elektrike

Kompania franceze Voltalia ka arritur sërish që të japë ofertën më të suksesshme në ankandin e dytë që zhvillon ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e një parku që do të prodhojë energji nga dielli në Spitallë të Durrësit.

Investitori do të ndërtojë një park energjie në një sipërfaqe prej 120 hektarësh në këtë zonë për një fuqi të instaluar 100 megavat, ku për 15 vjet, 70% e prodhimit do të blihet nga OSHEE kundrejt një tarife të rregulluar 29.89 euro.

Oferta e dhënë është 5 euro më e lartë se ajo që u ofrua kur e njëjta shoqëri rezultoi fituese për parkun e Karavastasë, por këtë herë fuqia e instaluar është 100 megavat nga 140 që është përcaktuar në zonën e Divjakës. Megjithatë Voltalia ia doli të japë një çmim 35% më të lirë se ajo që ofroi shoqëria kineze Universal Energy.

“Inkurajoj kompaninë kineze Universal Energy që të marrë pjesë në ankade të tjera. Diversifikimi i energjisë në një vend që ka energji 99% nga uji është një ndër hapat më  të mëdhenj që ne po hedhim.”

Shpresat se me diversifikimin e burimeve të energjisë Shqipëria në të ardhmen mund të kthehet në eksportuese nga importuese energjie që është, i dha dhe drejtori i BERZH në Shqipëri.

“Do të stabilizojë sektorin e energjisë në Shqipëri që është i varur nga ndryshimet klimatike. Është një hap i madh që Shqipëria të bëhet eksportuese energjie në të ardhmen”.

Vetë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është aksionere e kompanisë Voltalia. Energjia e lirë që do të prodhohet nga parqet fotovoltaikë do të tregtohet në bursën e energjisë që po krijohet në Shqipëri, ndërsa së shpejti do të hapen ankande për ndërtimin e parqeve me energji nga era. Në ankandin e Spitallës dhanë oferta 5 kompani, 3 prej të cilave u skualifkuan për mospërmbushje të kritereve teknike.

Tv Klan