Pas transmetimit të mbrëmshëm, të një rasti në emisionin investigativ “Stop”, gjatë të cilit një shtetase mashtronte, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, persona të ndryshëm dhe nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve zyrtare u premtonte atyre vende pune ose favore të ndryshme, Policia e Vlorës sqaron se:

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, si dhe shpallën në kërkim Joana Bocaj 27 vjeçe, banuese në lagjen “Lirimi”,Vlorë. Vijon puna për kapjen e saj.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

DENONCIMI: Një zotëri tregoi për emisionin investigativ “Stop” se si ishte mashtruar nga 27-vjeçarja Joana Bocaj nga qyteti i Vlorës. Ajo ishte prezantuar si punonjëse e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë dhe i kishte thënë se i duheshin rreth 100 punonjës pasi mbulonte gjithë jugun.

Zotëria në fjalë pagoi 2500 euro te Joana Bocaj që nusja e djalit të fillonte punë si shefe finance në Spitalin Memorial të Fierit. Bocaj i dha edhe një urdhër emërimi dhe procedura do të përfundonte për dy muaj. Por kaluan më shumë se 6 muaj dhe ende asgjë. Më pas zotëria i kërkoi lekët, por as ato nuk i mori.

“Stop” siguroi një video ku dukej Joana në makinë duke numëruar 2500 euro të marra për një vend pune që nuk do të realizohej asnjëherë. Madje mashtrimi i Joanës shkoi deri aty sa ajo kishte sajuar edhe një dokument fals emërimi për zonjën në pozicionin e shefes së financës në Spitalin Memorial të Fierit.

Emisioni “Stop” iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë Qëndrore të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, institucion që hodhi poshtë këtë emërim./tvklan.al