Një punonjës i Policisë së Tiranës është shpallur në kërkim nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, pasi ndaj tij Gjykata e Tiranës caktoi masën arrest me burg, ndërsa për dy të tjerë, masën detyrim paraqitje.

Tre efektivët, pjesë e sektorit “Shqiponja” akuzohen se kanë fshehur një ngjarje të regjistruar më 8 Mars të 2024 në aksin Tiranë-Fushë Krujë, ku në tejkalimm të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të një automjeti, duke vënë në rrezik jeten e dy personave.

Ishte denoncimi i një prej të dëmtuarve, rreth 3 javë pas ngjarjes që vuri në lëvizje drejtorinë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë. Hetimet e këtyre të fundit, zbuluan se 3 efektivët, pasi i kanë bërë thirrje për të ndaluar automjetin në brendësi të së cilit ndodheshin dy persona dhe kanë verifikuar ata, i kanë kërkuar t’i bëjnë kontroll makinës.

Në këto momente, shoferi i automjetit nuk është bindur, duke u larguar me shpejtësi. Përballë kësaj situate, efektivët kanë tentuar t’i ndalin, teksa njëri prej tyre, konkretisht efektivi, Rezart Berberi ka qëlluar me armën e shërbimit.

Pasi nuk kanë mundur te ndalin automjetin, tre efektivët po atë ditë i janë drejtuar Postës Policore Fushë-Krujë për të denoncuar se një automjet nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar.

Gjatë kallëzimit, punonjësit e policisë nuk kanë treguar se kanë përdorur armën e shërbimit. Ky fakt është zbuluar pas ekspertizës balistike që AMP ka kërkuar t’i nënshtrohen armët e shërbimit të policëve.

Tv Klan