Këngëtari i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, ka qenë në mesin e protestuesve pasditen e djeshme që u zhvillua përpara Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha që u vra nga efektivi i forcave “Shqiponja”.

Në një prononcim për tvklan.al përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, aty ku ishin grumbulluar fillimisht protestuesit, Stresi është shprehur se protestën e ka organizuar ai.

Unë e kam organizuar këtë protestë. Hajde më vrisni mua si Klodianin, ndyrësirat e m*tit. A doni të më vrisni mua? Keni për të vrarë gjithë këta “Klodianët”. Nesër do të arrestohem, do jem krenar që do shkoj në qelitë e paraburgimit. Për çfarë? Se s’ka drejtësi për një vëlla tonin. Asnjë s’ka për t’u dorëzuar. Nuk është miting pleqsh, është miting çunash, është miting populli, është miting të rinjsh. E kemi zemrën hekur. Këtu na keni. Jeni mësuar ju, unë jam Azem Hajdari i dytë, unë sot organizoj protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë populli shqiptar”, u shpreh këngëtari.

Mëngjesin e sotëm ai është shpallur në kërkim nga policia për shkak të organizimit të protestës ditën e djeshme. Mbi Stresin tashmë rëndojnë akuzat për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike” “ Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Por mesa duket reperi nuk është shqetësuar aspak nga këto akuza dhe para 1 orë ai ka publikuar një video në Instastory duke udhëtuar me makinën e tij dhe duke kënduar këngën e tij më të fundit “Archimed”. /tvklan.al