29-vjeçari u kap duke filmuar kampin e MEK

Daniel Kassrae, 29-vjeçari me orgjinë nga Irani dhe shtetësi italiane, është dëbuar nga Shqipëria.

I riu cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë, për muxhahedinët në Shqipëri. Antiterrori në Policinë e Shtetit ka zbuluar se Daniel Kassrae shkonte shpesh në kampin e muxhahedinëve në Manzë.

Nga përgjimet rezulton se 29-vjeçari ka shkuar disa herë në këtë kamp ku ka bërë filmime, si dhe është përpjekur të takojë 3 persona, për t’i vendosur kundër muxhahedinëve brenda kampit.

Gjatë kësaj kohe Danel Kassrae ishte në vëzhgim nga Antiterrori dhe pas marrjes së informacioneve, Policia e Shtetit i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dëbimin e irano-italianit dhe shpalljen Non Grata për 15 vite.

Daniel Kassrae është ndaluar nga policia dhe pritet që të largohet drejt Italisë, pas firmosjes së urdhrit për dëbim.

Në Dhjetor të 2018, ambasadori i Iranit dhe një tjetër zyrtar u dëbuan nga Shqipëria. Ata u shpallën Non Grata, me dyshimet se cënonin sigurinë e vendit, për shkak se po punonin kundër muxhahedinëve.

Tv Klan