Vendimi për të shpallur “non grata” ish-Kryeministrin Sali Berisha nuk u la pa u pyetur në Komisionin e Punëve të Jashtme të SHBA-së ku këtë të hënë raportonte Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Lee Zeldin, kongresmen republikan, i ka kërkuar Blinken informacione specifike se pse është marrë ky vendim. Ai thekson gjatë pyetjeve të tij se për shumë persona në SHBA ky vendim ka qenë i papritur ndërkohë që pas hulumtimeve të tij personale nuk ka arritur që të gjejë se në çfarë afere korruptive është përfshirë Berisha.

Blinken nuk ndau me kongresmenin informacione specifike. Sekretari i Shtetit u pyet edhe nëse ka pasur komunikim me George Soros për këtë çështje. Blinken mohoi që të ketë komunikuar me të.

Lee Zeldin: Kohët e fundit keni njoftuar për sanksione ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha. Për shumë nga ne kjo ishte e papritur, ai ka qenë mysafir dhe aleat i George W. Bush gjithashtu një kundërshtar agresiv i George Soros. Çfarë informacionesh specifike mund të ndani për të justifikuar këtë lëvizje dramatike?

Antony Blinken: Faleminderit, ne vijojmë të shohim përtej kufijve rreth atyre të përfshirë në korrupsion që shkelin të drejtat e njeriut, apo që sfidojnë parimet e demokracisë. Në çështjen e tij procesi u zhvillua normalisht, përfshirë avokatët e mi. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht.

Lee Zeldin: A ka ndonjë informacion specifik që mund të ndani me Komisionin këto momente?

Antony Blinken: S’kam çfarë të ndaj me ju tani, por do të doja të komentoja me ju dhe me këdo që është i interesuar.

Lee Zeldin: Kam bërë disa kërkime për të gjetur se në çfarë afere korruptive është përfshirë ai dhe nuk arrita të gjeja asgjë. Ku duhet të shkojë çdo njeri, ose le të themi një gazetar që kërkon të gjejë informacion? Aktualisht ka disa ecejake mes DASH, vendimit tuaj mbi sanskionet kundrejt tij, dhe familjes së tij, përfshirë palës mbrojtëse të Zotit Berisha. Pra ku duhet të shkojë një gazetar për të marrë informacione mbi korrupsionin që ju i referoheni?

Antony Blinken: Dy gjëra. E para, para se të kalojmë tek media, anëtarët të vijnë në Zyrën e Legjislacionit, dhe ne do të sigurohemi që të merrni informacionin, dhe e dyta, sa i takon medias, ejani në Zyrën e Zëdhënësit të Punëve të Jashtme dhe ne do të sigurohemi që në përputhje me të gjitha detyrimet që kemi, ta ndajmë informacionin me ju.

Lee Zeldin: A jeni ju në dijeni për burime të hapura informacioni që mbështesin pretendimet se ka patur korrupsion në të cilin është përfshirë zoti Berisha?

Antony Blinken: Jam i sigurt se çdo gazetar mund ta bëjë atë pyetje në deklaratat për media që ne mbajmë çdo ditë në DASH për të marrë çdo informacion që kemi në dispozicion për publikun.

Lee Zeldin: Për të qartësuar diçka lidhur me mbrojtjen e z.Berisha, thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, a keni komunikuar ju apo dikush në emrin tuaj me Sorosin? Thjesht po përpiqem të qartësoj çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo!

Antony Blinken: Unë jo. S’mund të flas në emër të gjithë DASH, por unë nuk kam komunikuar./tvklan.al