Balla: Askush nuk e pengon reformën në drejtësi

Vendimi i Departamentit amerikan u diskutua gjate nga deputetet në Kuvend.Shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha  është një lajm i bukur që nuk ka nevojë për koment, tha kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla. Kjo dëshmon sipas tij se askush  nuk mund ta pengojë progresin e reformës në drejtësi.

“Kushdo politikan që është munduar të pengojë çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi besoj që rasti i djeshëm është një rast kuptimplotë i sjelljes sipas legjislacionit përkatës të vendeve aleate të Shqipërisë, për t’u marrë në konsideratë. Mendoj që edhe pse këtu në këtë sallë sot u risoll vendimi i djeshëm i Sekretarit të Shtetit Blinken, le ta lëmë aq të bukur si është vendimi i sekretarit dhe të mos hyjmë në asnjë lloj komenti dhe nuance të atij vendimi sepse është aq i bukur sa është ai vendim dhe aq i rëndësishëm siç është ai vendim”, është shprehur Taulant Balla. 

Nga foltorja e Kuvendit ministrja e marredhenieve me parlamentin Elisa Spiropali shprehu keqardhje per tmerret e ish presidentit, familjes dhe aleateve te tij mbushen boten.  

“Dënimi kapital i Sali Berishës nga aleati ynë më i madh strategjik nuk më lumturoi aspak. Përkundrazi, provoj keqardhje të thellë, që tmerre dhe turpe të tilla kanë ndodhur në vendin tim. Ndjeva keqardhje që zullumet e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të vendit tim, familjes së tij dhe aleatëve të tij politikë, mbushën botën anembanë”, është shprehur Spiropali.

Ndërsa deputeti Ralf Gjoni tha se disa prej të pranishmëve në sallë ishin në dijeni që Sali Berishës nuk i lejohej të shkelte tokën amerikane.

“Kujdes me ujkun se çakalli po bën kërdinë dhe nuk do ishte e drejtë të merreni me një ujk të ngordhur ndërkohë që çakejtë janë duke bërë kërdinë përmes legjislacionit që vjen çdo javë këtu në parlament”, është shprehur Ralf Gjoni.

Ish- kryeministri Sali Berisha dhe familja janë zyrtarisht në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpalljen non-grata e njoftoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ku rendit veprimet korruptive si nje nder arsyet ku bazohet vendimi i marre nga departamenti  amerikan.

Klan News